Në një deklaratë për mediat nga selia e Partisë Demokratike, kryetari i PD-së Lulzim Basha komentoi mbi përplasjen e djeshme midis “dy poleve” të demokratëve në seli, ku u desh ndërhyrja e policisë së shtetit për të mënjanuar protestuesit.
Lulzim Basha tha për Sali Berishën se i ka manipuluar demokratët që e kanë ndjekur në protestë, ndërsa theksoi se kryeministri Rama po përfiton nga kjo situatë.
“Përfituesi i vetëm i kësaj loje katër-mujore të Sali Berishës, është, e kemi thënë, është Edi Rama”, u shpreh Basha.
Ai akuzoi Berishën se është i eksituar nga dhuna që vetë ai sipas tij nxiti dhe në këtë pikë sipas Bashës ai është i ngjashëm me Ramën e 21 janarit.
“Nëse PD nuk e merrte nën mbrojtje atëherë PD nuk meritonte të ekzistonte dhe për këtë qëllim u përpoq për 4 muaj të manipulonte demokratët, por nuk ia doli. Kryesia e demokratët qëndruan fort, që fati i një personi i shpallur non grata për korrupsion nuk mund të marrë peng aspiratat e qindra demokratëve që shohin te PD të vetmin burim shprese për ndryshimin e gjendjes. Për fat të mirë dje nuk u derdh gjak ashtu siç kishte planifikuar Berisha me një grusht kriminelësh duke abuzuar me qindra demokratë të manipuluar që i thirri si fasadë. Eksitimi përballë kësaj skene dhune që nuk fshinte dot dje dhe që e komandonte me dorë e ka shoqëruar edhe sot, siç ka shoqëruar edhe Ramën, në skena të ngjashme në 21 janarin. Këtu ata janë të ngjashëm dhe këtu ndahem me të dy. Të dy kanë gëzim. Berisha ndonëse dështoi me turp të zaptonte vullnetin e demokratëve, nuk e fsheh dot eksitimin. Dhuna që ai nxit ishte përfituesi i vetëm i kësaj loje 4 mujore që është Edi Rama dhe e tregoi me daljen e turpshme që po bën gjithçka për të mbuluar skandalin e inceneratorëve”, deklaroi ai.
Lulzim Basha komentoi deklaratën e sotme të kryeministrit Rama, i cili tha se ngjarja e djeshme mund të “kishte degjeneruar në gjakderdhje”, koment ky i bërë edhe nga vetë Basha i cili u shpreh se “për fat të mirë nuk pati gjakderdhje”.
Për deklaratën e Edi Ramës ditën e sotme, Luzim Basha tha se ishte “e turpshme”.
“Njeriu që ka bërë njëmijë të zezat, doli sot dhe na shiti moral”, tha Basha.
Ndërkohë, rreth dy orë para daljes përpara mediave të Bashës, ish-kryeministri Sali Berisha nga selia e PD-së bëri një deklaratë ku u shpreh se “asgjë nuk mund të ndalojë mbizotërimin e vullnetit të shumicës së demokratëve”.