Lulzim Basha e ka komentuar me nota kritike vendimin e PS-së për të mos përjashtuar deputetin Ornaldo Rakipin.
Sipas tij, Rama është mburojë e non gratave dhe këta persona e ndihmojnë të qëndrojnë në pushtet.
“Pa ta nuk bën dot afera si ato të inceneratorëve, pa ta nuk ndan dot administratën si plaçkë, pa ta nuk e shpërndan dot buxhetin e shtetit sipas orekseve të të babëziturve që përdor për të shkatërruar zgjedhjet,” – shkruan Basha në Facebook.
Kryedemokrati ngriti pyetjen se për kë i bleu votat Aqif Rakipi më 25 prill. Sipas tij Rama e di përgjigjen e kësaj pyetje dhe ndaj nuk po merr masa ndaj djalit të ish-deputetit.
Ornaldo Rakipi është pjesë e grupit parlamentar të PS-së, ndërsa i ati, ish-deputet i PDIU u shpall i padëshiruar nga SHBA-ja më 11 prill sepse cilësohet si “kërcënim serioz për stabilitetin dhe demokracinë në rajon”.