Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar që doli nga Kuvendi i 2 shtatorit për të zgjedhur strukturat e reja të kupolës drejtuese.
“Ky hap, zgjedhja e forumeve të reja i jep hov aksionit tonë politik. Kemi sakrifikuar shumë për të mbrojtur vlerat që na bashkojnë. Kur zhurma e përplasjes bëhet më e fortë se zëri i arsyes të gjithë humbasin.
Ne humbën kohë të çmuar duke u marrë me probleme që nuk kanë lidhje me njerëzit, por hallet e pak politikanëve që janë gati të shkatërrojnë të mirën e demokratëve dhe opozitarëve”, tha Basha.
Sakaq, Basha ka vendosur të shpërblejë njerëzit që i qëndruan besnikë rikthimit të tij në krye të PD-së zyrtare, ndërsa propozoi kupolën e re drejtuese.
Xhemal Bushati do të jetë kryetar i këshillit kombëtar të PD-së.
Në vendin e Gazment Bardhit do të jetë Enkelejd Alibeaj sekretar i përgjithshëm.
Gjithashtu ka propozuar edhe katër emrat e n/kryetarëve të PD-së. Flutura Açka, Kreshnik Çollaku, Orjola Pampuri dhe Roland Bejko do të jenë në krah të Bashës.
Njërin prej tyre, Basha ka premtuar se do ta bëjë kryetar grupi, pasi postin që mori me ndryshimin e statutit do ta delegojë.
E ndërsa Bejko përjashtohet nga mundësia pasi nuk është deputet, kryetari i ri i grupit do të dalë mes tre emrave, Flutura Açka, Kreshnik Çollaku dhe Orjola Pampuri.