Nga Gjirokastra ditën e sotme, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se Edi Rama largoi investitorët e huaj nga vendi për të grabitur Shqipërinë me klientët e tij. PD e vetmja forcë që sjell ndryshimin e kërkuar nga shqiptarët më 30 Qershor.
“Të gjitha bankat perëndimore po largohen nga Shqipëria; Kompania gjermane Hochtif u largua nga Aeroporti i Rinasit; Bankers u largua nga Shqipëria. Deutsche Telekom dhe T-mobile po largohen nga Shqipëria. Asnjë investim të huaj nuk ka sjellë Edi Rama në Shqipëri në gjashtë vjet. Vetëm Shqipëria gjatë Edi Ramës dhe Koreja e Veriut janë dy vendet pa asnjë investim të ri të huaj në gjashtë vitet e fundit. Pa investime të huaja nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka vende të reja pune, nuk ka mirëqenie. Investimet e huaja janë të domosdoshme për çdo vend për të rritur punësimin. Punësimi është prioriteti ynë më madhor”, theksoi Basha.
Basha theksoi se tashmë PD ka rizgjuar shpresën te shqiptarët dhe sipas tij nga kjo parti pritet ndryshimi.
“Ata presin nga ne çfarë do të bëjmë, si do të bëjmë, na pyesin çfarë do të bëjmë që njerëzit të mos largohen nga shtëpitë e tyre, të mos largohen në kurbet, por të qëndrojnë këtu dhe të kenë besim se do të ndërtojnë jetën e tyre. Natyrisht, askush tjetër nuk mund t’ju japë përgjigje përveç Partisë Demokratike. Nuk ka forcë tjetër që posedon burimet njerëzore, përvojën, kompetencën, ekspertizën dhe mbi të gjitha fibrën politike dhe morale”, tha lideri i opozitës në takimin e Gjirokastrës.