Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me anëtarët e strukturave të degës 8. Basha tha se Shqipërisë po i vijnë vërdallë hije të së shkuarës dhe simbole të korrupsionit, të cilët po mashtrojnë për të justifikuar atë që i kanë bërë vendit për 30 vite me radhë.
“Anëtarë të strukturave të degës 8 ku vij jo thjesht si kryetar i Partisë Demokratike, por si anëtar i degës 8, këtu në këtë zonë të zemrës së Partisë Demokratike në kryeqytet me një domethënie kaq të madhe në historinë tonë.
Nga mëngjesi deri në darkë, ditë për ditë, pa pushim Shqipërisë po i vijnë vërdallë hije të së shkuarës dhe disa simbole të korrupsionit, duke treguar lloj-lloj gënjeshtrash e mashtrimesh, vetëm e vetëm për të justifikuar atë që i kanë bërë këtij vendi për 30 vjet me radhë. Vetëm e vetëm për të mbuluar shkaqet e vërteta të gjendjes ekonomike, shoqërore, psikologjike të njerëzve sot. Vetëm e vetëm për të kamufluar armikun e mirëqënies të shqiptarëve dhe shkakun e largimit të shqiptarëve e në veçanti të rinisë nga shtëpitë e tyre.
Këto hije të së shkuarës dhe këto simbole të korrupsionit, janë bërë një peshë e tepërt për çdo familje shqiptare, edhe në ekranet e përnatëshme. Janë lodhur shqiptarët së dëgjuari të njëjtat gënjeshtra, të njëjtat mashtrime, të njëjtat justifikime, të njëjtat alibi, apo disa të tjerë që i freskojnë, çdo javë i japin refresh, i rifreskojnë librin e gënjeshtrave. Shikoni si dolën me inceneratorët. Kemi 6 vjet që e denoncojmë aferën e inceneratorëve. Gjashtë vjet betejë për një të vërtetë të dhimbshme, për një aferë korruptive me përmasa monstruoze, të përbindshme. Minimalisht 430 milionë euro. Mendoni se çfarë mund të ishte bërë me këto para po mos të ishin zhdukur në xhepat e një grushti njerëzish, një grushti pushtetarësh ku sot për sot drejtësia ka brenda bishtin jo kokën. Koka është akoma në qeveri”, tha Basha.