Nga Gjirokastra, ku u takua me strukturat e Partisë Demokratike të të gjithë qarkut këtë të enjte, kryetari i opozitës, Lulzim Basha tha se mesazhi i Europës për kryeministrin Rama është i qartë. Sipas tij, ai është “nuk ka negociata pa dënuar politikanët që vodhën votat në vitin 2017”.
“Nuk është thjesht beteja për rotacionin politik, sepse ai është i pashmangshëm, por është beteja për të drejtat dhe vlerat europiane, duke nisur me votën e lirë. Nuk ka Europë për vendet që s’kanë votën e lirë dhe që qeverisen nga krimi. Nuk ka Europë në një vend që nuk respekton kriteret minimale të shtetit të së drejtës. S’ka Europë në një vend ku qeveria është bërë njësh me krimin dhe u ka dhënë oligarkëve të gjithë buxhetin e shtetit, tenderat dhe gjithçka”, tha Basha.
Sipas kreut të opozitës, pa u ndëshkuar vjedhësit e votave, nuk mund të kemi zgjedhje të reja, të lira e të ndershme.
“Beteja dhe zotimi ynë i parë është transformimi politik i vendit sipas standardeve europiane. Ne demokratët jemi të qartë e të vendosur. Në Europë shkohet me zgjedhje të lira dhe me balancim pushteti e drejtësi të pavarur”, tha më tej kreu i PD-së.
Në vazhdim, Lulzim Basha shpalosi edhe programin e forcës politike që ai drejton, nëse do të vijë në pushtet.
“Brenda 4 viteve të para, pensioni minimal do të jetë 25 mijë lekë në muaj. Do ta ndalim eksodin e mjekëve dhe infermierëve përmes rritjes së pagave në 1.200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët. Kjo rritje do të jetë edhe një tregues indeksimi për të gjitha shërbimet e tjera në Shqipëri. Do të ndalim krizën e arsimit të lartë me dyfishimin e buxhetit. Buxheti do të subvencionojë në masën 100% tarifat e studimeve ‘Bachelor’ dhe ‘Master’ për të gjithë ata studentë që vijnë nga familje me të ardhura nën 64 mijë lekë, dhe 50% për pjesën tjetër. Do t’i japim fund emigracionit të të rinjve”, tha Basha.
Kreu i opozitës tha gjithashtu se inxhinierët e teknologjisë dhe elektronikës nuk do të shkojnë në punë të zeza në rrugët e Europës, por do të punojnë këtu në Shqipëri, sepse me sistemin e taksës së sheshtë 9%, vendi ynë do të thithë investime të huaja direkte, duke nisur me ekonominë gjermane.