Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sulmoi ata që i ka cilësuar si pjesë përbërëse të “Trekëndëshit të Bermudës”, duke thënë se kërkojnë ta largojnë nga drejtimi i partisë.
“Shikoni tri herë në ditë se si kërkojnë të më largojnë nga beteja, të më largojnë nga beteja me lloj-lloj pretekstesh. E kërkojnë treshja e tranzicionit pothuajse me të njëjtat fjalë, a thua se janë mbledhur në të njëjtën dhomë bashkë dhe kanë thënë që po nuk iku ky, s’kemi gjë në terezi. Dhe në fakt të drejtë kanë. Halli është i drejtë. E kërkojnë ata që i kanë lidhur interesat e tyre ekonomike, oligarkët me ta. E kërkojnë një gusht e të ashtuquajturve analistë të cilët pasi nxisin konflikt, përplasje dhe gjakderdhje mes demokratëve ia kërcasin nëpër vilat e tyre luksoze në bregdet të shtunën dhe shohin nga televizori dhe shohin pastaj të hënën për të bërë komentet ndërkohë që rrogat e tyre janë më të larta se rrogat e kolegëve të tyre në Amerikë. Nga i marrin lekët xhanëm? Nga këta oligarkët, po këta nga i marrin? Nga këta politikanët, po këta nga i marrin? Këta i marrin nga ne, nga ju, nga shqiptarët”, tha Basha në një takim me të rinjtë e PD në Tiranë, në kuadër të procesit zgjedhor për FRPD.
Basha shtoi se në një vend demokratik elitat duhet të qarkullojnë, pasi nuk mundet që “të përjetshmit të qëndrojnë në karrige”. “Kjo pra është beteja, ky është çelësi i betejës, Edi Rama nuk e lëshon, vjedh për herë të tretë zgjedhjet dhe thotë o të vjedh edhe të katërtat edhe të pestat, për çfarë, për ta varfëruar më shumë këtë vend, për të përqendruar më shumë pushtet dhe pasuri nga populli i cili varfërohet”, tha Basha.
“Ai tjetri thotë që do jem edhe 30 vjet apo 40 vjet të tjera bënë politikë që na doli dje në konferencë për shtyp, ky tjetri siç e the në vend që të shijonte pensioni politik dhe të kontribuonte me atë pjesë të trashëgimisë pozitive e hedh të gjithën poshtë dhe i thërret njerëzit në një akt të pashembullt të sulmojë shtëpinë e tij, pse, për karrige, por në qoftë se këto karrige janë përjetësisht zëna nga këta tre njerëz apo qoftë edhe 13 sa ishte byroja politike para këtyre. Kur do t’i vijë radha rinisë? Kur? Asnjëherë!”, përfundoi Basha.