Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka sulmuar nga Elbasani kryebashkiakun e kwtij qyteti se ka “fundosur shtetin në favor të bandave të krimit që sulmojnë policinë”.
“Ato pamje shokuese tregojnë në fakt se ku është shteti i Edi Ramës. Shteti i Edi Ramës nuk janë policët brenda këtyre makinave apo jashtë atyre makinave. Shteti i Edi Ramës janë banditët, është Suel Çela, është Sanxhaktari dhe banditët e tjerë që kanë marrë peng qytetin e Elbasanit përmes kryepadrinos, Qazim Sejdinit”, u shpreh kreu i opozitës.
Lulzim Basha tha se aksioni opozitar që nis më 27 janar me protestën nuk bëhet për interes të ngushtë politik, por për t’i dhënë sipas tij vendit një qeveri të dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme, që punon dhe jep llogari para qytetarëve.
“Ajo që kërkojmë me 27 Janar, nuk është për veten tonë, jo, nuk është për të bërë Lulzim Bashën kryeministër. Unë nuk dua të jem një kryeministër i ardhur nga protestë. Unë dua të jem një kryeministër i ardhur nga vota e qytetarëve shqiptarë, bazuar në programin tonë, në zgjidhjet tonë, në vizionin tonë, në vlerat tona”, tha Basha.