Kreu i opozitës, Lulzim Basha sulmoi procesin e Rindërtimit, me pretendimin se aty ka abuzime.
“Rindërtimi është kthyer në një skemë abuzimi, vjedhje dhe shpërdorimi. Kjo është arsyeja kryesore dhe arsyeja e vetme pse njerëzit po vuajnë.
Se këta edhe rindërtimin e kanë parë si një mundësi për të vjedhur njerëzit. Si një mundësi për të mbush xhepat e tyre”, tha Basha në një takim me banorë në Kombinat.
Edi Ramën e shigjetoi sërish, teksa e akuzoi se pasi mashtroi në 8 vite qeverisje shqiptarët, po bën premtime boshe në këmbim të një mandati të tretë qeverisës.
“Premtoi shëndetësi falas, po e shikoni, tani që erdhi pandemia i kanë dalë petët lakrorit. Premtoi legalizime falas, të njëjtën gjë premtoi edhe me tërmetin, të njëjtën gjë premtoi edhe me pandeminë edhe në kohën e pandemisë me tendera sekretë vodhi lekët e shqiptarëve në vend që t’ju jepte ndihmë. Kur vjen koha e zgjedhjeve hap thesin e premtimeve boshe”.
Ndryshe nga kundërshtari i tij politik, thotë se ka angazhime konkrete të hedhura në një plan, përmes të cilit synon rimëkëmbjen e ekonomisë.
“Me mua s’ka premtime. Këto janë angazhime, janë pjesë të një plani. Synimi ynë kryesor është të krijojmë 110 mijë vende pune të mirë-paguara të cilat pastaj, sigurisht, do të kenë ndikim edhe te konsumi”.
Dhe për ta vënë në zbatim këtë plan qytetarët i ftoi të votojnë ndryshimin.