Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar këtë të hënë një takim me këshilltarët bashkiakë që kanë garuar nën logon e PD-së në 14 maj, ku është shprehur se ata nuk duhet të bien në “kurthin e numrave”.
Ai shtoi se “filtrat e hipokrizisë” duhet të hiqen pasi numrat e mëdhenj nuk i shërbejnë gjithnjë qëllimeve të mëdha.
“Numrat me të cilat rrahin gjoksin për qytetarët janë arsye më shumë për t’i kthyer shpinën kësaj kaste politike. Nuk bëhet fjalë për numra kur bëhet fjalë për llogaridhënie. Kjo nuk është çështje numrash, është çështje morali”, tha Basha duke iu referuar demokratëve të Rithemelimit dhe mazhorancës, të cilët arritën që në zgjedhjet e 14 majit të grumbullojnë më shumë vota.
Kryedemokrati theksoi se duhet të jenë zëri i njerëzve të cilët mendojnë se nuk kanë zë e përpiqen të largohen.
“Në zgjedhjet e 14 majit, si rezultat i atyre shkaqeve që i dinë gjithë qytetarët, PD ishte larg rezultatit dhe përfaqësimit tradicional në Këshillat Bashkiakë në 61 bashkitë e vendit. Por pavarësisht luftës nga të gjitha drejtimet të atyre që duan të ruajnë këtë gjendje, nuk ia dolën ta pengojnë përfaqësimin e PD në çdo këshill bashkiak. Është gabimi më i madh të biem në kurthin e numrave.
Diskutimi sot është mbyllur në një dhomë dhjetëra herë më të vogël se kjo, është mbyllur në numra, në pushtetin e pak njerëzve. Edhe numrat e mëdhenj jo gjithmonë i shërbejnë interesave të mëdha. Asgjë që nuk është e mirë për qytetarët tanë, nuk mund të jetë e mirë për PD-në. Ata që ulen për herë të parë si përfaqësues të votuesve, atëherë në këtë sallë gjendet jo vetëm opozitarizëm i vërtetë, por më shumë.
Mbi 120 zëra, nëse kumbojnë për interesat e qytetarëve që ju kanë votuar, nuk janë pak, por janë shumë. Bëhen edhe më shumë po të kemi parasysh se në këtë situatë ku ndodhet vendi, të paktë janë zërat mes 140 deputetëve që flasin për hallet e njerëzve. Ne të gjithë jemi dëshmitarë dhe fajtorë që sot në debatin politik shqiptar, politikanët e zgjedhur apo të emëruar, flasin për lloj-lloj gjërash, por pak ose aspak për ato që kanë rëndësi për njerëzit”, deklaroi Basha.