Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është takuar me fermerë të Divjakës dhe Karbunarës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha thotë se ndau me ta shqetësimin për situatën e rënduar në sektorin e bujqësisë.
“’Ramavirusi’ ka prekur rëndë çdo qelizë të ekonomisë, përfshirë dhe bujqësinë dhe agrobiznesin. Asnjë ndihmë konkrete nuk është dhënë deri më sot për këtë sektor që si e gjithë ekonomia po vuan pasojat e pandemisë ekonomike të qeverisë Rama”.
Sipas Bashës, fermerët janë të shqetësuar për koston e shtuar të prodhimit dhe konkurrencën e pandershme nga produktet e importit të cilat vijnë të subvencionuara nga vendet e origjinës.
“Ekonomia shqiptare është në krizë të thellë, papunësia po rritet çdo ditë, konsumi është në kolaps dhe njerëzit kanë çdo ditë e më pak mundësi për të blerë. Bujqësia shqiptare dhe fermerët përballen me falimentim ekonomik, sepse edhe para pandemisë nuk kishin asnjë mbështetje. Sot ata kanë nevojë për përkrahje financiare dhe masa konkrete e jo fjalë boshe në Facebook. Pandemia ekonomike e shkaktuar nga ‘Ramavirusi’ po godet dhe rrënon fermerët e lënë krejtësisht pa mbështetje”.