Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijoi turin e tij të takimeve për shpjegimin e programit ekonomik “Shqipëria Fiton” me një familje të re në zonën e Tiranës.
Pasi bisedoi me të rinjtë e sapomartuar dhe u njoh nga ata me problemet që hasin, kryedemokrati Basha tregoi disa nga pikat e programit të PD që iu vijnë në ndihmë çifteve të reja.
Kreu i PD u shpreh se në program parashikohet një ndihmë mujore për çdo fëmijë të sapo lindur. Gjithashtu ai u shpreh se fëmijët do të kenë tekste falas ndërsa më tej të gjithë ata që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj, nuk do paguajnë tarifat e universiteteve.
“30 mijë lekë të vjetra, pra 3 mijë lekë të reja në muaj për çdo fëmijë të porsalindur deri në moshën 5 vjeçare. Pastaj me fillimin e shkollës, plani ynë parashikon së pari tekste falas. Pra ju heq një pjesë të madhe të kostos së fëmijëve. Parashikojmë për të gjithë ata që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj, mos të paguajnë tarifat e universiteteve, këto tarifa të paguhen nga buxheti i shtetit. Dhe për familjet në nevojë ekonomike të kenë edhe mbështetje ekonomike për të ndjekur studimet për t’u përgatitur për tu futur në jetë”, u shpreh Basha.
Një pikë tjetër e programit të PD që Basha iu shpjegoi të rinjve ishte që qeveria do të subvencionojë 100% interesat bankare çdo vit për 5000 çifte të reja që marrin kredi për blerjen e një banese.
“Planifikojmë që vit për vit 5 mijë çifte të reja të përfitojnë nga shteti subvencionim 100% të interesave të kredisë bankare. Çfarë do me thënë kjo? Do blesh një apartament apo një banesë, do të shkosh të marrësh kredi në bankë, shteti për 5 mijë çifte të reja apo 5 mijë familje të reja do të paguajë 100% të interesave bankare”, tha mes të tjerash Basha.