Ikja e të rinjve, tarifat e studimit dhe siguria në shkolla për shkak të koronavirusit ishin disa nga shqetësimet që gjimnazistë të kryeqytetit i parashtruan kreut demokrat, Lulzim Basha, gjatë një bashkëbisedimi me të.
Basha tha se prioriteti i tij janë të rinjtë dhe qytetarët shqiptarë dhe jo 10 oligarkët.
“Prioriteti im jeni ju të rinjtë, jo 10 oligarkët, prioriteti im janë shqiptarët, jo 10 oligarkët”.
Kreu demokrat premtoi se ndër masat e para të qeverisë së PD-së në pushtet do të jetë siguria në shkolla, ndërsa solli në vëmendjen edhe propozimet e opozitës për pandeminë.
“Ndër masat e para do të jetë siguria e shkollave. Ne propozuam testimin masiv e periodik të mësuesve, subvencionim dhe mbikëqyrje të dezinfektimit, vaksinimin masiv për gripin sezonal dhe pajisja me mjete mbrojtëse që nga dezinfektanti e maskat. Një qeveri e përgjegjshme do të kishte marrë masat për higjienën në shkolla. Një qeveri e përgjegjshme do të kishte testuar mësuesit, do të kishte mbrojtur nxënësit.”
Një tjetër premtim i kryedemokratit për të rinjtë ishte dhe zerimi i tarifave të studimit për 90% të studentëve.
“Heqje e tarifave të Bachelor e Master për studentë me të ardhura të ulëta. Do të zerojmë tarifat e studimit për 90% të studentëve. Programi ynë për arsimin e lartë është që asnjë i ri apo e re të mbetet pa studiuar për shkak të pamundësisë ekonomike”.