Ndryshe nga takimet e tjera, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha zgjodhi sot të merrte rrugën drejt selisë së LSI-së dhe të takonte Monika Kryemadhin në zyrën e saj.
Në mbyllje të takimit që zgjati përreth një orë, Basha në një deklaratë për mediat tha se aksioni i opozitës vazhdon dhe dita e enjte sipas të gjitha gjasave do të jetë shumë intensive.
Kjo pasi opozita gjatë paradites do të prezantojë për opinionin detyrat e qeverisë tranzitore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa pasdite në 18:00 nis aksioni në 12 qarqet e vendit për bllokimin e akseve kryesore.
Lulzim Basha: “Ka asgjësuar Kushtetutën, demokracinë, zgjedhjet, themelin e llogaridhënies demokratike që është vota e lirë. Do të vazhdojmë aksionin tonë në të gjitha planet. Nesër nga ora 18:00 do të nisë aksioni në 12 qarqet e vendit për bllokimin e akseve kryesore si një intensifikim dhe përshkallëzim i mosbindjes civile. Paradite në orën 11, do të shpalosim bashkë me koalicionin tonë opozitar detyrat e qeverisë tranzitore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ndërkohë po punojmë intensivisht për programet tona politike, ekonomike, ofertën tonë për shqiptarët jo vetëm për ta nxjerrë vendin nga kriza por për tu dhënë siguritë, mundësitë për një jetë dinjitoze me mundësi për punësim dhe mirëqenie për të gjithë”.
I pyetur për një tryezë të mundshme me Ramën si kryetar i PS-së, Basha u shpreh: “Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e opozitës së bashkuar dhe të koalicionit tonë politik, koalicionit më të madh, mazhorancës së re numerike, politike dhe morale të vendit. Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm për ti hapur rrugën dialogut politik që do të çojë drejt qeverisë tranzitore detyrat e të cilës do ti shpalosim nesër në 11″.