Kreu demokrat Lulzim Basha është takuar mëngjesin e sotëm me përfaqësues të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë. Në fokus të këtij takimi ishte punësimi dhe rritja ekonomike e vendit të përfshirë në programin elektoral të PD-së. Sipas Bashës taksa e sheshtë dhe ulja e kontributeve shoqërore do të bëjnë të mundur nxitjen e punësimit dhe rritjen ekonomike të vendit.
“Në rrafshin e reformës fiskale, ne i qëndrojmë me vendosmëri angazhimit tonë për taksën e sheshtë 9%, uljen e kontributeve shoqërore në 18%, pra, 9+9 duke zbatuar kështu parimin e taksës së sheshtë si një parim që do të nxisë rritjen ekonomike, do të nxisë punësimin, por po kështu do të nxisë transparencën dhe do të luftojë informalitetit dhe duke çuar në një skenar të tre palët fitojnë
Me fuqizimin e biznesit përfitojnë edhe të punësuarit, rritet dhe konsumi, përfiton dhe arka e shtetit. Dhe ky është fituesi i tretë i skemës, i angazhimit që ne ndërmarrim në fushën fiskale”.
Basha garantoi se me taksën e sheshtë 9% dhe uljen e kontributeve shoqërore në 18%, prodhuesve shqiptarë do t’u mbeten më shumë lekë, dhe kjo do të sjellë rritje ekonomike.
“Taksa e sheshtë 9%, kontributet shoqërore 18%, ulja e çmimit të karburantit, e patë besoj studimin e fundit, ju nuk jeni habitur, as ne nuk jemi habitur sepse ne kemi 3-4 vite që e kemi betejë të përditshme por shumë kush mund të jetë habitur kur e ka parë Shqipërinë në krye të tre vendeve të botës për çmimin e karburantit, krahë për krahë Singaporit dhe Suedisë”.
Nga ana e tyre sipërmarrësit shprehën bindjen se politika e taksave të ulëta gjeneron rritje ekonomike, punësim dhe përfitime të tjera.
“Lidhur me programin, për pjesën ekonomike të tij ne e gjykojmë shumë pozitive. Jemi të bindur që politika e taksave të ulëta gjeneron rritje ekonomike, punësim dhe benefite të tjera
Me fjalë të thjeshta shteti të na lërë të punojmë, e përkthyer në gjuhë programi një reformë derregullimi e plotë, të mos ketë pengesa të panevojshme”.