Politika Basha takon Varhelyi: E informova që PS kreu një akt të rëndë...

Basha takon Varhelyi: E informova që PS kreu një akt të rëndë që cenon zgjedhjet  

“Reforma zgjedhore është ndryshuar dhe miratuar në mënyrë të njëanshme, në shkelje të Kushtetutës”. Këtë i ka bërë të ditur kreu demokrat Lulzim Basha, komisionerit Oliver Varhelyi gjatë takimit, duke e cilësuar këtë një akt të rëndë që cenon standardin e zgjedhjeve në Shqipëri.

“Me Komisionerin e Zgjerimit diskutuam dhe për reformën zgjedhore të miratuar në mënyrë të njëanshme dhe që shembi themelet mbi të cilat u arrit marrëveshja e 5 qershorit. Gjatë bisedës i bëra të ditur zotit Varhelyi se reforma zgjedhore është ndryshuar dhe miratuar në mënyrë të njëanshme, në shkelje të Kushtetutës. PS duke e ditur se ndryshimet janë në kundërshtim me praktikat e mira të zgjedhjeve  refuzoi marrjen e mendimit të OSBE/ODHIR. Për herë të parë në Shqipëri u shkelën praktikat konsensuale mbi të cilat janë kryer reformat zgjedhore deri më sot. Ky akt cenon rëndë standardin e zgjedhjeve, të cilat janë kusht i rëndësishëm për të ardhmen dhe integrimin e vendit”.

Basha thotë se e ka siguruar Komisionierin Varhelyi se integrimi europian i Shqipërisë dhe krijimi i mundësive për shqiptarët që të jetojnë si europianë në vendin e tyre, mbetet prioritet I PD-së dhe opozitës së bashkuar.

Gjatë takimit Basha e ka falenderuar komisionerin Varhelyi për mbështetjen që BE i ka dhënë Shqipërisë për përballimin e pasojave të tërmetit dhe të pandemisë.