Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë një denoncim në adresë të kreut të qeverisë Edi Rama, për të cilin tha se darkon në restorantin privat të Kryeministrisë me krerët e bandave kriminale.
Këtë deklaratë, Basha e bëri gjatë një komunikimi në Facebook me qytetarët kur u pyet për planin që ka PD për të ndalur largimin nga vendi të specialistëve.
“Po promovove kriminelët, po promovove trafikantët, në qoftë se ja dorëzon shtetin dhe institucionet njerëzve që kanë trafikuar vajzat dhe gratë e Lezhës dhe gjithë Shqipërisë, po drekove me ta në Kryeministri, nëse Kryeministri jep këtë model, çfarë pret ti të bëjnë specialistët e shtetit. Prandaj duhet ndryshim. S’mund të ketë ndryshim pa larguar këtë njeri.
Tek ai restoranti privat në Kryeministri, siç e di unë, siç e dinë shumë gazetarë, siç e dinë edhe shërbimet partnere, një herë në 2 apo 3 ditë ka krerët e bandave të Shqipërisë. Krerët e bandave të Shqipërisë darkojnë me paratë tuaja në restorantin privat të Kryeministrisë. Në qoftë se ky është shembulli që jep Kryeministri, sigurisht që ekspertët do të largohen, specialistët do të largohen. Shqipëria ka nevojë për një Kryeministër tjetër në lartësinë e pritshmërive tuaja.
Një Kryeministër i cili prioritet ka ndarjen e politikës nga krimi, dhe unë këtë e kam provuar me ligjin e Dekriminalizimit dhe me propozimin për Vettingun e politikanëve që e mbani mend që Edi Rama e refuzoi. Ndaj me mua Kryeministër të garantoj se modeli do të jetë ai i promovimit të specialistëve sipas meritës, jo sipas bindjeve politike, sipas aftësive dhe përkushtimit për t’i shërbyer qytetarëve. Dhe për këtë do të kemi ndihmën e plotë të partnerëve tanë në veçanti Bashkimit Europian dhe SHBA”, u shpreh Basha.