Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka uruar sot shqiptarët për Vitin e Ri 2021. Basha thotë se po lëmë pas një vit të vështirë dhe pandemia e gjeti vendin të gjunjëzuar.
“Kriza e pandemisë e pllakosi vendin tonë, në një kohë kur ekonomia ishte tashmë e gjunjëzuar dhe sistemin tonë shëndetësor e gjeti në pikë të hallit, si pasojë e mungesës së mbështetjes. Shumë prej nesh humbën më të dashurit, familjarë dhe miq të çmuar prej koronavirusit, duke lënë pas një boshllëk të pazëvëndësueshëm. Ne i kujtojmë me dhimbje secilin prej tyre. Po ashtu përcjell ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e tyre”, u shpreh Basha.
Më tej Basha thotë se spitalet janë të mbingarkuara, punonjësit shëndetësor janë duke punuar me mish e me shpirt për të shpëtuar jetë edhe pse në kushte shumë të vështira.
“Mirënjohja jonë nga thellësia e zemrës shkon sot tek mjekët dhe personelin shëndetësor, që po sakrifikon me vetëmohim për të shpëtuar jetë, duke sakrifikuar gjithçka, shpesh edhe vetë jetët e tyre. Teksa po hyjmë në Vitin e Ri, mbushini zemra tuaja me shpresë dhe besim. Largojeni për disa çaste trishtimin e këtij viti që lamë pas dhe mendoni se ditë më të mira na presin, se një e ardhme më e ndritur është përpara nesh”, shtoi ai.
Për kreun e PD dhe pse viti 2020 ishte shumë i është i vështirë ende ka shpresë për një jetë më të mirë në vitin që po vjen.
“Ka shpresë për një Shqipëri tjetër. Për një qeverisje ndryshe që kujdeset për qytetarët e punon për ju. Për një qeveri që garanton uljen e kostos së jetës dhe mundëson hapjen e vendeve të reja të punës për çdo qytetar. Ka shpresë për ndryshim dhe gjithçka varet prej nesh për ta bërë atë shpresë realitet. Unë jam plot besim që ndryshimi është i mundur dhe nuk do të ngelet vetëm shpresë”, shprehet kreu i opozitës.
Në fund ai shprehet se “do ta kthejmë 2021-in në vitin në të cilin Shqipëria do të jetë e fortë dhe e mbushur me dhembshuri e kujdes për njëri-tjetrin, dhe ku gjithkush të jetë pjesë e ndryshimit që po vjen”.