Deputetët e Partisë Demokratike, pavarësisht diskutimeve në parim, kanë rënë dakord unanimisht që të vijojnë me djegien e mandateve.
Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar ata kanë mandatuar kryetarin Lulzim Basha të mbledhë Këshillin Kombëtar për marrjen e vendimit përfundimtar.
Gjithashtu është vendosur që të ngrihet një grup pune për teknikalitetet, duke propozuar Gazmend Bardhin, Oerd Bylykbashin, Enkelejd Alibeajn, Çlirim Gjatën, Ivi Kason.
Ndërkohë pro këtij vendimi është edhe ish-kreu i kësaj force politike, Sali Berisha.
“Vendim qw nuk është marrë në Shqipëri ndonjëherë. Vendim në rrafshin politik, më ekstremi. Por e kërkon situata politike. Prova e këtij vendimi është, nëse ne me aksionin qytetar politik do t’u kthejmë shqiptarëve votën e lirë, ne kemi marre një vendim historik të drejtë. Po nuk arritëm që shqiptaret të votojnë të lirë, mbetemi fasadë. Nëse shkohet në këtë vendim, qe nuk e kundërshtoj, përkundrazi, koha ka ardhur që të përballemi me këtë regjim me qëllimin e vetëm që shqiptaret të jenë të lirë”, ka deklaruar Berisha.
Ndërsa kreu aktual i demokratëve është shprehur se: “Jemi në gjendje emergjence kombëtare. Ky është hap nga pozitat e dominimit të forcës popullore. Na takon ne të udhëheqim shqiptarët”.