Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka zbardhur takimin me delegacionin amerikan dhe ambasadoren Yuri Kim. Ai i ka shprehur mirënjohjen e tij dhe të PD-së për mbështetjen që SHBA i ka dhënë popullit shqiptar. Basha ka ndarë me delegacionin amerikan shqetësimin për situatën në Shqipëri.
“Ndava me ta shqetësimin tonë për situatën në Shqipëri, nivelin e lartë të korrupsionit, masakrën zgjedhore dhe lidhjet e politikës me krimin”, shkruan Basha.
Ndër të tjera është folur edhe për situatën në rajon dhe Kosovë.
“Diskutuam edhe për situatën në Kosovë dhe rajon. Mbyllja sa më e shpejtë e bisedimeve Kosovë-Serbi me njohjen reciproke, do t’i shërbente paqes dhe stabilitetit në rajon, që sot mbetet i brishtë”.
Kryetari i PD-së ka ritheksuar se për të dhe PD, SHBA janë partneri strategjik dhe prioritet është bashkëpunimi sa më i ngushtë me ta.
“Ritheksova se për mua dhe PD, SHBA janë partneri ynë strategjik dhe bashkëpunimi sa më i ngushtë ekonomik, politik dhe në fushën e sigurisë është prioritet kryesor i yni”.