Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantoi sot programin për Integrimin, ku u zotua se nëse merr pushtetin do të anëtarësojë Shqipërinë me të drejta të plota në Bashkimin Europian.
“Për Partinë Demokratike rruga evropiane dhe euroatlantike e Shqipërisë është e pakthyeshme dhe e patjetërsueshme”, u shpreh kryedemokrati.
Ai premtoi se zbatimi do të jetë fjala kyçe e reformave të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Gjithashtu, kryedemokrati tha se në vjen në pushtet, do të angazhohet që brenda 6 muajve të parë të bëjë realitet konferencën e parë ndërqeveritare Shqipëri-BE.
“Do të mbrojmë votën nga çdo përpjekje kriminale për deformimin e saj. Partia Demokratike dhe unë angazhohemi të mbajmë duart larg nga sistemi i ri i drejtësisë”, u shpreh më tej kryedemokrati.
Basha u ndal edhe tek PPP-të, për të cilat premtoi se do të merren në shqyrtim procedurat korruptive.
“Skemat e pastrimit të parave do të goditen”, përfundoi ai.