Kryesore Bashën e “tradhton” nënkryetari, Çollaku: Kam premtuar respektimin e gjykatës, sot mbaj...

Bashën e “tradhton” nënkryetari, Çollaku: Kam premtuar respektimin e gjykatës, sot mbaj fjalën

Lulzim Bashën e braktis edhe një nga katër nënkryetarët e tij. Deputeti Kreshnik Çollaku, përmes një postimi në rrjetet sociale, pohoi se do të respektojë vendimin e Gjykatës së Apelit sa i përket vulës dhe drejtimit të Partisë Demokratike.

“Sot ka një realitet të ri e të ndryshëm në PD. Kontesti gjyqësor që patëm dha një verdikt. Ne të gjithë patëm premtuar se do ta njohim e respektojmë. Unë jam ndër ata që dje, kam bërë këtë premtim. Sot jam një njeri që po i qëndroj fjalës së dhënë”, shkruan Kreshnik Çollaku, i cili deri tani ka mbajtur postin e një prej katër n/kryetarëve në atë që cilësohej si PD zyrtare e Bashës.

Më herët, kolegia e tij, deputetja Eralda Bano, që gjithashtu kishte mbështetur linjën e Bashës, deklaroi se do të vijonte të ishte deputete e Partisë Demokratike, duke nënkuptuar se do të respektonte vendimin e Gjykatës që i njohu Rithemelimit vulën dhe drejtimin e PD.

Postimi i plotë i Kreshnik Çollakut

Që në fillim të konfliktit brenda PD, pavarësisht shkallës dhe formës së përkeqësimit të tij, pavarësisht bindjes dhe mbështetjes time ndaj njërës palë apo tjetrës…në çdo situatë, në çdo pozicion, në çdo kohë kam kërkuar vetëm një gjë, Bashkim të demokratëve, kam bërë thirrje për të shmangur përçarjen e më keq, Ndarjen e PD.

Për këto qëndrime, në kohë të ndryshme disa më quanin “hero, qëndrestar, demokrat i vërtetë”..,disa të tjerë “peng, i shitur, tradhtar”.

Në mënyrë tragjikomike, për disa që mbajnë modelin enverist të ndarjes së botes, rolet u ndërruan.

Për ata që dje isha “tradhtari” sot jam “heroi” dhe për ata që dje isha “hero” sot jam “tradhtari”.

Në fakt unë nuk jam tradhtari, por nuk jam as heroi, jam një 19-vjeçar i 1990-ës që nuk dua të shoh të gjunjëzuar në 2024 , PD që në atë kohë themeluam me aq shpresë.

Sot ka një realitet të ri e të ndryshëm në PD. Kontesti gjyqësor që patëm dha një verdikt. Ne të gjithë patëm premtuar se do ta njohim e respektojmë.

Unë jam ndër ata që dje, kam bërë këtë premtim.

Sot jam një njeri që po i qëndroj fjalës së dhënë.

Si çdo kohë dhe sot mendoj se PD për të qenë fituese duhet të jetë e Bashkuar.

Mendoj po ashtu se sot PD është e ndarë.

Bashkimi nuk mund të jetë Nënshtrim.

A mundet PD, të mbaje brenda vetes mendimin apo qëndrimin ndryshe?

A mundet PD të mbajë brenda të njëjtes sigël apo flamur individë apo grupe që mendojnë ndryshe, që bëjnë Disidencë individuale apo të organizuar ndaj lidershipit zyrtar?

Unë kam idenë dhe propozimin tim, të cilin shpejt do ta bëj publik.

Miqtë e kolegë të tjerë nxis nëse kanë të bëjnë të tyret e të hapim një dialog ose debat me çdo pale për këtë çështje, që e konsideroj jetik për të ardhmen e PD dhe të Opozitës në Shqipëri.