Është identifikuar 26-vjeçari shqiptar, i cili u qëllua për vdekje pranë Carlsbad Springs, në skajin rural juglindor të Otavës në Kanada.
Ai është shtetasi Granit Ahmeti, bashkëpronar në një kompani karrotrecësh në Kanada.
Kompania ku ai punonte reagoi përmes një postimi prekës në rrjete sociale, ku thekson se Ahmeti ishte një i ri mbushur me energji që e dashuronte jetën.
“Ishte një vëlla vetëmohues, partner i dashur dhe miku më i sjellshëm. Energjia dhe buzëqeshja e tij ishin gjithmonë kaq ngjitëse dhe dashuria e tij për jetën ishte e pakrahasueshme. Do të na mungojë më shumë se sa mund të shprehin fjalët”, shkruan në Facebook, kompania Canadian Towing.
26-vjeçari u gjet i plagosur me armë zjarri në një adresë në Farmers Way, rreth 20 larg nga qendra e Otavës. Policia e gjeti me shenja jete shqiptarin rreth orës 3:45 të mëngjesit të së shtunës, por ai nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë në spital.
Policia ka nisur një hetim në lidhje me rastin, ku janë sekuestruar kamerat e bizneseve në zonë me qëllim identifikimin e autorit.
Ende nuk dihen motivet e krimit të rëndë, apo ndonjë person i dyshuar që mund të kishte konflikte me të riun shqiptar.