Në jo pak zona në Shqipëri, atë që nuk e bën pushteti qendror dhe ai lokal, qytetarët kanë treguar se kur bëhen bashkë sfidojnë arrogancën e institucioneve dhe me kontribute vullnetare i japin zgjidhje problemit.
Jemi bërë dëshmitarë se si banorët kanë ndërtuar vetë rrugën, ujësjellësin, kanë sistemuar argjinatura për t’u mbrojtur nga përmbytjet apo dhe kanë ndihmuar më të varfrit. I kësaj natyre është edhe kontributi i emigrantëve dhe banorëve të Njësisë Administrative Hotolisht, Bashkia Librazhd të cilët janë bërë bashkë, për t’i ndërtuar shtëpinë 43-vjeçarit, Ilmi Alliu, i cili përpos varfërisë, vuan edhe nga disa sëmundje.
Ndërkohë që bashkëfshatarët e tij, emigrantë me moshë mjaft të re jo vetëm që kanë financuar ndërtimin, por do ndjekin punimet dhe do qëndrojnë në kantier derisa shtëpia e re dedikuar 43-vjeçarit Ilmi Alliu të përfundojë, të mobilohet dhe ai të sistemohet e të jetojë në kushte normale.
Ermal Poçi është fqinj me Alliun dhe që nga dita e parë është angazhuar në mbledhjen e kontributeve në Gofundme për shtëpinë e re. Ai ka publikuar edhe emrat e banorëve të Hotolishtit, mes tyre edhe emigrantë në vendet e BE, të cilët kanë kontribuar në shuma monetare si dhe materiale ndërtimi. Tashmë shtëpia e re e Ilmi Alliut ka marrë formë dhe brenda disa javësh do të jetë gati.
Kontributet donatorëve
Disa herë, Ilmi Alliu i është drejtuar Njësisë Administrative Hotolisht për ndihmë, por nuk ka marrë përgjigje. As Bashkia e Librazhdit nuk ka marrë asnjë masë për sistemimin e tij në një banesë tjetër, ndonëse jemi në mesin e acarit dimëror. Papërgjegjshmëria e institucioneve mori përgjigjen nga banorët, të cilët edhe njëherë tjetër sfiduan arrogancën dhe shpërfilljen e shtetit, duke nxjerrë nga skamja, përpos problemeve shëndetësore, bashkëfshatarin e tyre.