Bashkia e Tiranës ka vendosur që të pezullojë transportin urban për një afat të pacaktuar në kryeqytet në kuadër të masave për ndalimin e përhapjes së koronavirusit.
Masa fillon nga ora 5.00 e mëngjesit dhe përfshin linjat brenda qytetit të Tiranës, transportin rrethqytetas që lidh qytetin e Tiranës me njësitë administrative dhe ish-komunat si dhe shërbimin ndërqytetas me Bashkinë e Kamzës dhe Bashkinë e Vorës.
Gjatë dy ditëve të fundit, Bashkia e Tiranës ka aplikuar edhe dezinfektimin e mjeteve të transportit publik.
Ky vendim është në vijimësi të masave që janë ndërmarrë nga qeveria, kur Kryeministri Edi Rama urdhëroi sot mbylljen e lokaleve dhe restoranteve në Tiranë dhe Durrës.
Ndërkohë, edhe zyrat e Gjendjes Civile kanë pezulluar shërbimin.
Autoritetet shëndetësore dhe qeveria u bëjnë thirrje qytetarëve që të kufizojnë lëvizjet dhe të qëndrojnë brenda shtëpive.