Rubrika “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare” moderuar nga Ardit Gjebrea solli këtë të diel një histori, që jo gjithmonë na bie rasti ta dëgjojmë. Bëhet fjalë për një vajzë të re, ku në vitin 1974 lindi një vajzë. Ishte vetëm 16 vjeçe kur u bë nënë dhe i dashuri i saj ndërroi jetë dy javë pasi u bë baba. Një histori e trishtë dhe enigmatike deri më sot. Xhevahire Iljazi nëna bilogjike e Julit, nuk rreshti kurrë së kërkuari vajzën e saj, pasi kushtet e vështira të jetesës e bënë atë që ta mbante në Befotrofin e Durrësit dhe të shkonte çdo tre orë në ditë për t’i dhënë për të pirë vogëlushes . Por një ditë ndodhi ajo, që askush se priste. Juli zhduket nga Befotrofi, pa dëshirën e nënës së saj. Tashmë kanë kaluar 42 vite, Xhevahirja e kërkon sërish dhe zgjodhi programin “E Diela Shqiptare” në Televizionin Klan për të kërkuar ndihmë. Nga të dhënat që Xhevahirja dha për vajzën e saj, stafi i emisionit “E Diela Shqiptare” është nisur drejt qytetit të Fierit për të takuar Julin dhe vetë Ardit Gjebrea realizon një bashkëbisedim me të.
Më trego pak për jetën tënde në Shqipëri fillimish dhe më pas atë në Greqi?
Kam qenë një fëmijë shumë i lumtur saqë të gjithë shokët dhe shoqet më kishin zili, një fëmijë i përkëdhelur.
Filloren e keni bërë këtu në Fier?
Po këtu në Fier. Pastaj vazhdova shkollën e lartë, Institutin e Fizkulturës në Tiranë. Aty fillova dhe u largova pak nga familja si të gjithë studentët.
Mami çfarë bënte në atë kohë, ku punonte?
Mamaja punonte në maternitet ndërsa babai mekanik. Dhe unë vazhdoja të jetoja në Tiranë dhe një ditë mami më vjen në Tiranë dhe më thotë që kam ardhur të të them një të vërtetë, që ti je një fëmijë i adoptuar.
Kur e more vesh këtë gjë, sa vjeçe ishe?
Afërsisht tek 19 vjeçe.
Pra ti deri në atë moshë mendoje se ata ishin prindërit e tu biologjikë?
Ato janë akoma, biles kur ma tha nuk e besova, se unë kam një ndjeshmëri shumë të madhe me ata të dy.
Po pastaj si rrodhën ngjarjet?
Ajo këmbëngulte që unë ta besoja këtë gjë, por unë sërish nuk e besoja. E vërteta është se të gjithë e dinin dhe vetëm unë nuk e dija.
Çfarë ndryshoi në atë moment tek ty?
Tek mua asgjë. Tek prindërit besoj unë, nuk di ç’të them se çfarë mund të mendonin ata, por besoj se kishin atë frikën se mos largohesha unë prej tyre.
Si shkove në Greqi?
Mbarova Institutin, punova edhe dy vite si mësuese Fizkulture në një fshat të Fierit. Ika në Greqi për një jetë më të mirë.
U mërzitën prindërit?
Shumë sepse ishin mësuar gjithmonë që të më kishin afër.
Mamaja kur u nda nga kjo jetë?
Në janar të 2012. Unë kam qenë në Greqi në atë kohë dhe kam qenë edhe pa dokumenta dhe nuk mundesha dot të vija.
A ke menduar ndonjëherë për nënën tënde biologjike?
Po!
Për çfarë e ke pyetur veten?
Nga një anë thoja pse mos ta mësoj të vërtetën dhe nga ana tjetër thoja pse të kërkoj, pse t’i mërzis këta prindër që mua më rritën. Mua nuk më ka munguar asnjëherë figura e prindërit, por ndonjëherë edhe më gërryen nga brenda. Pastaj them kushedi sesi mund të kenë qenë mundësitë, ajo femër mund t’a ketë mohuar dhe ka krijuar jetën e saj, pse ta vë në pozitë të vështirë. Nuk e di, jam shumë e ngatërruar në vetvete.
Një zonjë iu drejtua redaksisë tonë, tek “Ka një mesazh për ty” tek “E Diela Shqiptare”. Na dha disa të dhëna, por shumë nga të dhënat që na dha nuk përputheshin me ty, por ti je e vetmja Juli e birësuar e ditëlindjes 23 dhjetor e vitit 1974. Do të dëshiroje ta takoje?
Pse jo!
Nuk mund të të jap shumë detaje, por di të të them që të kanë ndarë prej saj, pa dëshirën e saj. Ajo nuk i ka firmosur letrat.
Unë nuk e di historinë e vërtetë.
Prindërit nuk ta kanë thënë këtë gjë?
Jo, biles pas vdekjes së mamit e pyeta dy tre herë babin sesi ka qenë puna. I është shmangur kësaj historie dhe nuk kam dashur pastaj, që ta vazhdoja.
Si e përfytyron nënën tënde biologjike?
Nuk e di!
U bënë 23 vite që ti tashmë e di këtë histori, sa herë e ke fajësuar nënën tënde biologjike?
Asnjëherë. Jam një tip që mundohem t’i justifikoj njerëzit. Nuk mendoj direkt të keqen, them sikur mund të ketë patur këtë hall, pra mendoj gjithmonë sikur, sikur…
Si do ta doje nënën biologjike sot, në këtë pozicion që je?
Për mua nuk ka rëndësi, thjesht të jetë njeri i dashur, i qeshur, gojëëmbël.
Përtej dilemave shpirtërore, Juli e pranoi ftesën për të ardhur në studion e “E Diela Shqiptare” në rubrikën “Ka një mesazh për ty”.
Si e ke menduar emrin e nënës tënde biologjike Juli?
Emër jo… Të njejtë me mua se besoj, nuk më shkon mendja.
Unë do ta ftoj atë në studio tani dhe do ta thërras në emër dhe le ti mësojmë një nga një misteret e jetës tënde.
Presim!
Emri i saj është Xhevahire.
Nuk më thotë gjë ky emër.
Ajo nuk jeton në Shqipëri, jetën e saj e ka të sistemuar në një shtet tjetër në Itali dhe ka ardhur enkas, për këtë gjë. Ajo nuk e di nëse ne të kemi gjetur ty apo jo, nëse ti je këtu apo jo, por ka marrë avionin dhe ka ardhur me shpresën që të takoj vajzën që ka lindur përpara 42 viteve.
Më pas në studio vjen Xhevahirja, e cila fillon të rrëfejë për jetën e saj dhe nga ana tjetër e murit Juli dëgjon të gjithë historinë.
Ma tregoni pak historinë e jetës tuaj?
Xhevahire Iljazi: Që në moshën 15 vjeçare banoja në Vollga në Durrës. U njoha me një djalë që ishte dy vjet më i madh se mua. Aty lindi dashuria mes nesh. Sa mbusha 16 vjeçe ngela shtatzanë. Unë nuk e kuptova që isha shtatzanë, gratë që punoja në rrobaqepsi ma diktuan. Kur arrita në muajin e nëntë institucioni i shëndetësisë më mbante nën mbikqyrje, që të mos e dështoja. Unë kisha vendosur që ta bëja këtë fëmijë dhe Stavri ish i dashuri më kishte dhënë fjalën që do ta rrisnim bashkë këtë fëmijë.
Stavri të dha fjalën që ne do të jemi bashkë?
Po. Unë vendosa mos ta dështoja këtë fëmijë. Më ka çuar mamaja për ta abortuar, por i tha doktori që rrezikon jetën e vajzës, por as unë nuk doja. Më pas unë linda dhe më mbajtën në maternitet dy javë. Pas dy javësh shkova tek Befotrofi në Durrës dhe qëndrova disa kohë aty, pasi kisha frikë të shkoja në shtëpi nga babai.
Për sa kohë i ke dhënë vajzës të pijë nga gjiri yt?
16 muaj, çdo tre orë.
Po ti kishe frikë nga babai? E mori vesh?
Po e mori vesh, unë s’kisha guxim t’i thoja gjë babait se ishte serioz.
Po Stavri vinte të shikonte gjatë kësaj kohe që ti qëndrove në maternitet?
Jo, ka ardhur vetëm pas një jave kur unë kisha lindur. Erdhi në maternitet dhe rastësisht unë isha në dritare dhe e pashë. Ma bëri me shenjë dhe më tha që të kam lënë diçka tek sporteli. Shkoj tek sporteli dhe aty më kishte lënë dy çokollata, banane dhe një letër, ku shkruhej se nëse ke lindur vajzë vendosja emrin Juli, nëse është djalë Julian. Unë kam qenë sëmurë në spital, ndaj nuk kam ardhur. Pra në një farë mënyre ishin justifikime dhe nuk po më besohej. Por ai ishte vërtetë i sëmurë. Kur shkoja në rrobaqepsi një shoqja ime më thotë që do të them diçka për Stavrin. Ajo më tregon që ai kishte një javë që kishte vdekur. U mbeta për një moment, por jeta vazhdon. Unë kam qenë një burrneshë dhe thashë, që do ta rris të vetme vajzën. Një ditë teksa shkoja në Befotrof për t’i dhënë për të pirë vajzës, nuk e gjej më aty.
Kush e kishte marrë vajzën?
Nuk e di thjesht më dhanë justifikime, jo i kemi vënë allçi në këmbë se nuk e kishte kockën në rregull, pra justifikime kot. I pyesja se ku spital është, ato nuk tregonin.
Kush e bëri këtë gjë?
Drejtoresha e Befotrofit.
Po nuk besoj se ka qenë një vendim i drejtoreshës?
Unë nuk kam firmosur që ta fal. Kur më pyetën i thashë që e dua dhe do ta mbaj. I kisha thënë që për momentin mund ta mbaj këtu sa të stabilizohem, të iki nga familja, të marr tre rroga që të jetoja me vajzën. Të merrja një shtëpi dhe të jetoja me të. Ato ma hoqën pa pyetur, pa firmosur nuk e di kështu ka qenë në kohën e komunizmit. Unë shkoja vazhdimisht atje, i thoja ku është fëmija se dua t’i jap për të pirë, por ato nuk tregonin. Burri i një shoqes time më tha që e kanë hequr.
Si reagove ti në ato momente?
Të them të drejtën doja t’i thyeja të gjitha xhamat atje, doja fëmijën tim.
Ti e more vesh ku e kishin çuar vajzën?
Jo nuk tregonin absolutisht.
Dhe nuk e mësove kurrë?
Kam vajtur në Shkodër dy herë dhe nuk kishte gjë. Kam vajtur në Vlorë katër herë.
Me çfarë emri e regjistrove vajzën?
Julia Iljazi. Emri i nënës Xhevahire Iljazi, emri i babait Stavri Llazo. Ka qenë deri vonë në gjendje civile tek trungu familjar i babit tim në Durrës.
Pastaj çfarë ndodhi me ju?
Që prej 21 vjetësh kam vajtur në Itali. I kam shkruajtur Maria de Filipit dhe më tha që duhet të shkosh tek Ardit Gjebrea.
Faleminderit, çfarë ndodhi me jetën tënde?
Julia lindi me 22 dhjetor. Unë me 28 shtator të vitit 1975 u martova. Nga kjo martesë linda një vajzë dhe një djalë. Shkova në Itali dhe ndërtuam jetën atje. Por nuk kam qenë e lumtur nga vajza, e kisha një gozhdë në zemër.
Si ia tregove bashkëshortit ekzistencën e vajzës tënde?
Bashkëshorti im nuk e di akoma. Vetëm vajza e di.
Përpara se të të them nëse e kemi gjetur apo jo, doja të të pyesja sesi ke ndërmend t’ia thuash bashkëshortit?
Nuk është asnjë problem sepse burrin e kam shumë të mirë, është i dashur. Në fakt ndjehem shumë me faj që nuk i kam treguar.
Edhe një pyetje të fundit, e ke kërkuar gjithë këto vite Julin?
E kam kërkuar gjithmonë. Kam zënë shoqe në Befotrofin e Vlorës se atje më digjte zemra, që kur më tha ajo shoqja që ekziston emri këtu, por nuk di të them më gjatë se ku ndodhet dhe ku e kanë çuar.
Si e mban mend të vogë bebe?
Ah, me sy të bukur dhe qerpikë të gjatë. Bardhoshe e shëndoshë.
Ishte shumë e vështirë përpjekja për ta gjetur Julin, megjithatë ne na ndihmuan disa fakte sepse e vetmja femër që ka lindur në datën 22 dhjetor të vitit 1974 me emrin Juli është ajo. Por në fakt është e regjistruar me datën 23 dhjetor. Çfarë indiciesh i ke dhënë ti gazetarit tonë Bernardit?
I kam thënë datën kur ka lindur. Por me fjalë që kisha dëgjuar më kishin thënë që rri e qetë për vajzën, se e ka birësuar një familje doktorësh.
Më lejo të të them që të gjithë rrëfimin tënd Juli e dëgjoi. Ajo është këtu. Tani pas 42 vitesh do të shikoni njëra – tjetrën.
Juli e dëgjove të gjithë historinë, çfarë të preku?
E gjithë historia.
Ajo kurrë nuk e fajësoi nënën e saj, pasi gjaku ujë kurrë nuk mund të bëhet, zemra e saj e ndjeu që nuk qe kurrë e braktisur nga nëna, por për 1001 arsye Juli u rrit nga prindër të tjerë.