Kur themelon dhe njëkohësisht drejton një kompani të suksesshme me miliarda euro fitim në vit, mund t’ia lejosh vetes një shpërblim të majmë.
Denise Coates, miliarderja themeluese dhe drejtuese e kompanisë britanike të basteve Bet365 shpërbleu veten me rreth 400 milionë euro vitin e kaluar.
Shuma është shpërblimi më i madh që një drejtor ekzekutiv i një kompanie merr me rastin e festave. Rekordi i mëparshëm mbahej po nga Coates, që në 2017 shpërbleu veten me rreth 300 mln euro.
Kjo do të thotë se për çdo ditë pune përgjatë 2018, Coates është paguar me rreth 1.5 mln euro. Kësaj shume i shtohet edhe rroga bazë me 300 mijë euro në muaj dhe të ardhurat nuk mbarojnë me kaq. Për 2018 ajo tërhoqi 60 mln euro të tjera si divident për 50 për qind të aksioneve që zotëron të kompanisë me bazë në qytetin e Stokes në Britaninë e Madhe.
Në tre vitet e fundit, Denise Coates, 52 vjeç ka grumbulluar rreth 1.1 miliard euro para të thata në llogaritë e saj, duke mos përfshirë këtu vlerën e 50 për qind të aksioneve që ka në kompaninë e famshme të basteve.
Me shpërblime të majme me rastin e festave, vitin e kaluar janë “dorovitur” edhe vëllai dhe babai i 52-vjeçares, që mbajnë pozicione drejtuese në kompaninë në fjalë. Në total, këta dhe drejtues të tjerë të lartë të Bet365 janë shpërblyer me 500 mln euro.
Megjithëse bën pjesë në listën e 20 britanikëve më të pasur, Denise Coates ja ka dalë mbanë që të mbajë një profil të ulët. Ajo shmang mediat dhe intervistat. Coates, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes së saj, si vëllai Joh, që është edhe bashkëdrejtues i kompanisë, bashkëshorti Richard Smith, drejtues i klubit të futbollit Stoke dhe babai i saj, president i kësaj skuadre, kontrollojnë 93 për qind të aksioneve të Bet365.