Lashana Lynch do të jetë krah Daniel Craig në “No Time to die”. Aventura e 25-të e 007-s e sjell Craig për herë të fundit në rolin e superagjentit, ndërsa Lynch do të luajë rolin e Nomit, një agjente e MI6.
“No Time To Die” pritej të lançohej në mars 2020, por u shty tre herë për shkak të Covid-19. Kanë kaluar gjashtë vjet që nga filmi i fundit i Bond, “Spectre”, shkëputja më e gjatë në historinë e tij.
A janë gati kinematë për të pritur “No Time To Die”? Kjo është një pyetje 250 milionë dollarëshe. Dhe pas kësaj, pyetja tjetër është a do t’i afrohet shifrës 900 milionë dollarë që “Spectre” mblodhi në kinematë e botës në 2015? Agjenti që zakonisht shpëton botën nga forcat e errëta, kësaj radhe do të duhet të shpëtojë kinemanë nga shkretimi.
Ajo që dimë që nga viti 1962, kur James Bond u shfaq për herë të parë, është që nuk duhet vënë kurrë bast kundër tij. Seria e fundit ku shfaqet Daniel Craig do ta vërë atë përballë anarkistit Safin, i luajtur nga fituesi i Oskarit me “Bohemian Rhapsody”, Rami Malek. Ai do të ketë ndihmë nga dy gra Bond – “vajzat” e Bondit që i përkasin së kaluarës – Ana de Armas dhe Lynch. Prezantimi i Nomi të Lynch duket qartësisht pjesë e një strategjie për ta mbajtur 007 të rëndësishëm në botën moderne.
“Unë mendoj se ata thjesht po kërkonin dikë që do të ishte në gjendje të kishte një përputhje me Bond“, thotë Lynch për The Guardian.
Lynch ka lindur në Shepherd’s Bush në 1987, në një familje xhamajkane. Babai i saj ishte një punonjës social për adoleshentët dhe nëna e saj është një menaxhere e pasurive të patundshme.
E rritur me vëllezër më të mëdhenj se ajo, Lashana ka mësuar kërcimin, aktrimin dhe sportin. “Përvoja e parë ishte Pinoku në shfaqjen e shkollës”, kujton ajo. “Kështu që unë kam nxitur për diversitet që herët, haha!” Si adoleshente, duke ndjekur fundjavat në Shkollën e Teatrit të Rinj Sylvia, ajo e nisi fillimisht me këngën dhe më pas aktrimin. “Shumë njerëz më thonin: Duhet të kesh një plan B. Unë u thosha: Ai nuk ekziston. Nuk ka pasur kurrë një plan B”, thotë ajo.