Sport Basti i Agueros, te Barça me një pagë si lojtar normal, por...

Basti i Agueros, te Barça me një pagë si lojtar normal, por me shpërblime në bazë të formës

Kun Agüero do të marrë një pagë relativisht një pagë të mirë te Barcelona. Sidoqoftë, shuma fikse, që do të përfitojë brenda një sezoni, nuk ka asnjë lidhje me shifrat që përfitoi sezonin e fundit te Manchester City. Sulmuesi argjentinas nga 23 milionë euro bruto që përfitonte “Citizens” do të zbresë në 6 milionë euro, pra me një diferencë të madhe prej 17 milionë eurosh.

Duke marrë parasysh moshën e Agueros (33-vjeç) dhe krizën ekonomike që po kalojnë përgjithësisht klubet e mëdha në Europë për shkak të pandemisë, kjo ulje drastike mund të konsiderohet normale. “El Kun” ishte paralajmëruar se, nëse dëshironte të luante në “Camp Nou”, duhej të ishte i gatshëm të bënte një “sakrificë” të madhe financiare.

Në fakt, Aguero kishte oferta më të mira në nivelin ekonomik, për shembull njëra vinte nga Juventusi, në Itali, ku sistemi i taksave është shumë më bujar me lojtarët e huaj. Sidoqoftë, ëndrra e tij ishte të vishte fanellën “blaugrana”, që në fund të kishte mundësi të luante krah bashkatdhetarit dhe mikut të tij, Lionel Messi. Për këtë arsye, atij iu desh të bënte një sakrificë në lidhje me të ardhurat e tij fikse, sikurse deklaruan dy zëvendëspresidenti i Barcelonës, Rafael Yuste, dhe drejtori i futbollit, Mateu Alemany. Aguero pranoi të rrezikonte shumë, duke firmosur për një pagë fikse relativisht të vogël, por me mundësinë e përfitimit të shpërblimeve të majme në varësi të trofeve të fituar dhe arritjeve individuale.

Me fjalë të tjera, “El Kun” ka vendosur një bast me veten, për t’u treguar drejtuesve dhe tifozëve të Barcelonës se paratë në “Camp Nou” do t’i marrë sepse do t’i meritojë.