Kryeministri Edi Rama ka vendosur një bast publik për zgjedhjet e së dielës. Ai tha se nëse nuk do të arrijë të marrë një shumicë të qartë me të paktën 71 mandate në qeveri atëherë ai do të largohet nga politika.
“Nëse unë nuk kam mundësi të ndërtoj një shumicë qeverisëse të qartë, unë nuk jam. Norma është që partia e parë është partia fituese. Nëse unë nuk kam mandatin e qartë për të bërë ato që kam premtuar për një Shqipëri tjetër, unë nuk jam. Ti realizon ëndrrën “Rama ik”, tha Rama në “Opinion”.
Rama sqaroi edhe idenë për bashkëpunim me opozitën pas 25 prillit ndërsa mohoi që të ketë negociata nga Gjermania për këtë.
“Gjermania nuk ka punë tjetër që të negociojë me ne. Unë dhe PS do ta mundim PD, Lulzim Bashën, Sali Berishën dhe Ilir Metën në 25 prill. Do të shohim një herë çfarë do të ndodhë në Facebook. Do të ndahet Saliu nga Luli apo me një postim në Facebook, Saliu do shkarkojë Lulin. Unë nuk jam këtu për të kërkuar një mandat të tretë për veten time.
Nuk më intereson në asnjë formë pushteti dhe politika që nuk lidhet me një mandat të qartë. Unë nuk hyj te ata që i keni parë si Saliu që është i fundit. Historia ka parë shumë njerëz që për karrigen kanë marrë jetë njerëzish. Unë e dua këtë mandat për ta çuar Shqipërinë në një mandat të qartë. Në fillim do krijojmë frymën dhe bashkëpunimi vjen pastaj dhe për këtë duhen vite”, tha Rama.