Bayerni i Mynihut vijon të dhurojë paraqitje spektakolare nën drejtimin e Hans Flick, teksa sot fitoi me rezultatin e thellë 0-4 në transfertën ndaj Dusseldorfit dhe u ngjit në vendin e dytë , e vetëm një pikë më pak se Monchengladbach kryesues.
Pavard, Tolisso dhe Gnabry shënuan në pjesën e parë dhe Philippe Coutinho vulosu rezultatin në 45-minutëshin e dytë, pasi shënoi me asistin e Lewandowskit, që sot nuk arriti të dërgojë topin në rrjetë.
Humbi 2-0 ndërkohë Borussia Monchengladbach në transfertën berlineze ndaj Unionit. Vendasit shënuan me Ujah në pjesën e parë, ndërsa në minutat shtesë të takimit, gjetën edhe golin e sigurisë me anë të Andersson.
Ngjitet në renditje edhe Schalke 04, që fitoi me rezultatin 1-2 në transfertën ndaj Werder Bremenit. Harit dhe Raman shënuan për Schalken, ndërsa Bremen rihapi takimin me Osako, por nuk arriti të shmangë humbjen.
Bayer Leverkusen nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në shtëpi ndaj Freiburgut, ndërsa Wolfsburgu triumfoi me rezultatin 0-2 në transfertën ndaj Eintracht Frankfurtit.