Bayern Munchen-Borussia Dortmund është ndeshja që asnjë tifoz nuk mund ta humbasë këtë fundjavë, një përplasje që me shumë gjasë do të vendosë edhe rrugën e titullit kampion në Bundesligën gjermane.
Të shtunën, në orën 18:30, bavarezët dhe skuadra verdhezi do të masin forcat në “Allianz Arena”, në një spektakël të vërtetë jo vetëm futbollistik, por edhe jashtë fushës.
Plot 25 kamera do të jenë në stadium për të mos humbur asnjë detaj të 90-minutëshit, ndërsa pamjet nga ajri do t’i mundësojë një “drone” me kamera të integruar. Prapa portës do të ketë për të parën herë kamera të vogla “ultraslowmotion”, që do të komandohen nga larg. Pamja e tyre kalon përtej rrjetës së portës dhe pritet të shfaqin disa momente të bukura, risi për Bundesligën.
Sfida do të transmetohet në 205 vende, nëpërmjet 16 kanaleve ndërkombëtarë dhe biletat janë ezauruar shpejt.
Borussia e Dortmundit është dy pikë më shumë sesa Bayerni dhe do të synojë ta mbajë kryesimin edhe pas të shtunës, por për këtë do të duhet të kalojë një lojë nervash dhe trysninë e tifozëve vendas. Kur duhen 7 ndeshje nga fundit, lufta për titullin është më e gjallë sesa asnjëherë, e në platforma të ndryshme kanë nisur të rikujtohen edhe ndeshjet më pikante mes dy ekipeve.
Bayern Munchen dhe Borussia Dortmund janë dy ekipet që kanë ndarë mes tyre 9 titujt e fundit në Gjermani, por kjo është ndeshja me më shumë kuptim mes tyre, që prej finales së vitit 2013 në Champions League, zhvilluar në “Wembley”. Asokohe, Bayern fitoi 2-1.
Vendasit janë favoritë edhe për shkak të mungesave të Dortmundit, por në një pikë bien dakord të gjithë: ajo e së shtunës është një sfidë që nuk mund të parashikohet.