Bayern Munchen dhe Borussia Dortmund kanë marrë fitoret e radhës në Bundesligë, ndërkohë që rigjen tri pikët edhe Freiburgu.
Kampionët në fuqi mposhtën 3-0 Bochumin falë golave.
Thomas Muller shënoi në pjesën e parë. Në fraksionin e dytë të sfidës erdhën edhe golat e Kingsley Coman dhe Serge Gnabry (penallti). Skuadra e Nagelsmann kryeson me 43 pikë.
Për Bayernin debutoi 17-vjeçari Arijon Ibrahimovic. Sulmuesi me origjinë shqiptare u fut në fushë në minutën e 77′ në vend të Leroy Sane.
Tri pikë më pak numëron Borussia Dortmund. Verdhezinjtë triumfuan 0-2 në fushën e Werder Bremen, duke siguruar fitoren e pestë radhazi.
Jamie Bynoe-Gittens zhbllokoi takimin në minutën e 67’, vetëm pak sekonda pasi ishte futur në fushë. Ky ishte goli i tretë në kampionatin gjerman për 18-vjeçarin anglez.
Golin e qetësisë e realizoi Julian Brandt pesë minuta përpara fundit. Freiburgu fitoi 2-1 me përmbysje ndaj Stuttgartit falë dy golave me penallti të italianit Vincenzo Grifo.
Rikthehet te fitorja edhe Bayer Leverkusen pas dy humbjeve radhazi. “Aspirinat” ia dolën në fushën e Hoffenheim me rezultatin 1-3.
Robert Andrich, Moussa Diaby dhe Adam Hlozek shënuan për ekipin e Xabi Alonsos. Sfida tjetër mes Mainzit dhe Augsburgut përfundoi 3-1 për skuadrën vendase.