Baza e re e NATO-s që do të nisë të ndërtohet brenda këtij viti në Shqipëri, ka shkaktuar shqetësim tek Rusia, e cila e cilëson pozitën e Aleancës në Ballkan si një kërcënim ushtarak për kufijtë e saj.
Në një shkrim me titullin “New NATO baze in Albania Threatens Escalation of ‘Greater Albania”, portali rus “Fort-Russ” shkruan se baza e re e NATO-s në Kuçovë, kërcënon përshkallëzimin e skemës së Shqipërisë së Madhe”.
“Zgjerimi i infrastrukturës së NATO-s në Shqipëri nuk është befasi dhe është pjesë e fushatës më të madhe të SHBA-NATO për të promovuar një “Shqipëri të Madhe”, që përfshin nxitjen e konflikteve etno-fetare në shtetet ballkanike me popullsi shqiptare”, thuhet në artikull.
“Analistët e FRN kanë parashikuar vazhdimisht se Ballkani mund të jetë beteja e ardhshme gjeopolitike në fushatat e destabilizimit të Atlantikut nëpërmjet skemës së “Shqipërisë së Madhe”, theksohet në analizën e portali rus.
“Në këtë kontekst, krijimi i një baze të NATO-s në Shqipëri padyshim që përfaqëson fillimin e operacioneve të reja të destabilizimit dhe përshkallëzimit të konflikteve në rajon. 50 milionë euro të parashikuara për projektin e bazës ajrore ka të ngjarë të gjejnë rrugën e tyre për të nxitur gjakderdhjen e re në formën e separatizmit radikal shqiptar në shtetet fqinjë”, thuhet në analizë.
Se situata ishte serioze për Kremlinin, e konfirmon dhe një shkrim i “Sputnik” javën e kaluar.
“Ushtria perëndimore në kufi”, është titulli i shkrimit, ku analisti ushtarak rus Sergei Jermakovi i referohet rastit të Kuçovës, ndërtimit pra aty të bazës ajrore rajonale, pse jo më të rëndësishmen për NATO-n.
“Në samitin e fundit, vendet e NATO-s ranë dakord të rrisin potencialin ushtarak. Pastaj ranë dakord për forcimin e komponentit ushtarak në kufijtë jugorë të NATO-s. Ballkani në këtë drejtim luan një rol shumë të rëndësishëm, sepse ajo i jep qasje të NATO-s në të gjitha sfidat e saj të mëdha – nga Rusia në Afrikën e Veriut, dhe në të gjithë rajonin e Detit Mesdhe dhe atij të Zi”, thotë Jermakovi.