Analisti Mero Baze ngriti dyshimet e tij rreth pyetjeve të profesor Përparim Kabos para juristëve që po testoheshin për KLGJ-në dhe KLP-në, duke thënë se do ishte kurioz ta dinte nëse profesori i kishte njohur më parë ata.
Jo vetëm Baze, por edhe një pjesë e ndjekësve e komentuesve online, jo vetëm përgjigjet për të cilat kryesisht ranë dakord se qenë skandaloze, morën në gjykim edhe pyetjet e profesorit.
Por gazetarja Edlira Gjoni sjell pikërisht disa nga pyetjet që u bëhen studentëve konkurues në juridik në Oxford dhe Cambridge.
Pyetje të cilat kanë shumë ngjashmëri me natyrën e pyetjeve të Kabos.
KOMENTI I PLOTË I EDLIRA GJONIT:
Pyetje standarte që ju bëhen studentëve konkurues për të hyrë në juridik në Oxford apo Cambridge: (pasi kanë kaluar testin super të vështirë e specifik për drejtësinë)
– Nëse gruaja ka përsëritur disa herë se nuk i pëlqen reçeli në mëngjes, e burri ia sjell në tavolinë, bashkë me vezën e bukën e thekur, a përbën ky veprim shkak ligjor për të kërkuar divorcin?
– Vajzat dhe djemtë që bëjnë eksplorime (boycsouts), a kanë axhendë politike?
– Cili është libri i fundit jo-ligjor që po lexon?
– Çfarë keni lexuar së fundmi për situatën në Maymar?
– Si mendoni ju, për çfarë shërbejnë semaforët?
– Po të ktheheshe pas në kohë, në cilën do ktheheshe? Pse?
– Cili precedent është më i referuari në Angli?
– Cili gjyqtar u vra ne shek. XVII një ditë para gjyqit? Sa kohë me pas u zgjidh çështja?
Etj, etj, etj.
Pse duhet të merremi me pyetjet? Mos janë gabim edhe këta që ligjin e kanë frymë? (https://sites.google.com/site/oxbridgeinterviewquestions/law)
Jo vetëm që testohet njohuria e prirjet bazë, por me këto pyetje shkohet tek karakteri i njerëzve. Përse ai grup i thjeshtë pyetjesh nxehu Shqipërinë? Kollaj të gënjesh veten. Kollaj gënjehet njeriu në pasqyrë. Por dhimbja është e ashpër, miq. Shumë prej nesh ende nuk shkruajmë shqipen të saktë, nuk dimë deklaratën e pavarësisë, shajmë Skënderbeun, njëri-tjetrin, gënjejmë sy më sy, e nxehemi pse na bëjnë pyetje që çjerrin maskat.
Nuk ndreqet gjë duke fajësuar pyetjet, por duke lexuar, që të mos ngelemi shumë gjatë shoqëri jo-reflektuese me gishtin e fajit nga tjetri.
Dhe meqë jemi këtu, cila është akuza më e madhe që i është bërë ndonjëherë Shqipërisë?
Lexoni, miq. Mos shani! Veçanërisht njëri-tjetrin. Jemi pak për t’u urryer kaq shumë mes vetes.