Kryesore Bazë ushtarake në Porto Romano? Peleshi: Jemi në diskutime me NATO-n

Bazë ushtarake në Porto Romano? Peleshi: Jemi në diskutime me NATO-n

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka njoftuar se qeveria shqiptare është në diskutime me NATO-n për ndërtimin e një baze ushtarake në një pjesë të Portit të ri tregtar të Porto Romanos. Peleshi tha se kjo mund të ndërtohet sipas modelit të bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.

“Një takim i fundit që kam pasur në qendrën e NATO-s në Belgjikë me komandantin suprem të NATO-s gjeneral Cavoli. Një nga pikat e diskutimit ka qenë mundësia e mbështetjes nga NATO të portit ushtarak pranë portit të ri të Porto Romanos. Ky është lajm i rëndësishëm për Shqipërinë. Ajo që i ofrojmë NATO-s që kjo hyrje të jetë sipas standardeve të saj. Që në fazën e projektimit ne jemi duke u konsultuar me NATO-n, paralelisht me dizajnin që do të atashojë burime njerëzore pranë përfaqësisë sonë aty. Krahas konsultave po punojmë edhe për financimin, ka disa opsione financimi. Ka një burokraci që nuk shmanget dot, por ka hyrë në pikat e diskutimit në strukturat e NATO-s kjo mundësi financimi. Kemi një model të ngjashëm që është baza e Kuçovës po ecën me ritme të shpejta, ka qenë një pikë diskutimi, një investim shtesë për të ndërtuar qendrën e kontrollit të trafikut ajror aty, në Kuçovë që mund të kushtojë rreth 20 mijë euro të tjera. Shpresoj që të miratohet. Por mbi atë model mund të ecim me Porto Romanon”.

“Do blihen dy automjete ajrore për shuarjen e zjarreve”

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka deklaruar se është vendosur që të investohet në blerjen e dy automjeteve ajrore specifike për luftë kundër zjarreve, të cilat do jenë të dobishme në periudhat e vështira të verës, ku shtohen vatrat e zjarrit.

Niko Peleshi: Pjesë e kësaj kredie është parashikuar të jetë blerja e dy automjeteve ajrore specifike për luftë kundër zjarreve, pra për periudhën e vështirë gjatë verës që sa vjen bëhet dhe më e nxehtë fatkeqësisht  dhe sa vjen ka dhe më tepër vatra zjarri, ju e mbani mend që gjithmonë, gjatë Gushtit ne jemi në luftë në të gjithë Shqipërinë, për fat të keq vitet e fundit nuk shpëton asnjë bashki nga 61 bashkitë tona, nga vatrat e zjarrit, do të shtojmë dy mjete ajrore që nuk i kemi patuar më parë në për këtë qëllim.

Gjithashtu do të ngrihet një kamp trajnimi për zjarrëfikësit dhe gjitha strukturat operacionale që duhet të trajtohen në fushën e mbrojtjes civile, duke përfshirë dhe vullnetarët, urgjencat mjekësore, policinë e shteti dhe forcat e armatosura. Kjo qendër trajnimi do të jetë e pajisur edhe me laboratorë simulimi të situatave të ndryshme, pra le të themi që me këtë financim, ne kompletojmë, e ngremë në një nivel shumë të lartë gjithë sistemin dhe rrjetin e mbrojtjes civile në vendin tonë.