Që prej së shtunës, kur u vunë në pranga, mediat britanike e kanë pasqyruar gjerësisht lajmin e arrestimit të 4 personave të dyshuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.
“Shqiptari 37-vjeçar Edmond Haxhia, së bashku me britanikët Steven Hunt, 49 vjeç, Thomas Mithan, 35 vjeç, nga Bristol dhe Birmingham, dolën para gjykatës së Westminster të shtunën. Ndërsa Harriet Bridgeman, 27 vjeçe, nga Bristol, doli në të njëjtën gjykatë të hënën. Për të 4 këta persona ka kërkesë nga Shqipëria për ekstradimin e tyre. Ata u dërguan në qeli dhe siç shkruan BBC, pritet që të dalin sërish para të njëjtës gjykatë këtë të premte”, shkruan BBC në një artikull të publikuar një ditë më parë.
Operacioni për arrestimin e tyre u ndërmor nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA). Një zëdhënës i kësaj agjencie, për BBC tha se “autoritetet shqiptare kanë shprehur falenderimet e tyre për njësinë kombëtare të ekstradimit, që i gjeti dhe i arrestoi personat në kërkim”.
Edmond Haxhia, bashkë me 3 britanikët u arrestuan në Londër. Ata dyshohet se kanë pasur për detyrë të vëzhgojnë lëvizjet e biznesmenit Ardian Nikulaj përpara se të kryhej vrasja, mesditën e 19 Prillit, në Shëngjin. Edmond Haxhia akuzohet se është organizatori i ekzekutimit të 51-vjeçarit.
Për ngjarjen në kërkim vijojnë të jenë edhe dy persona të tjerë, britaniku Harry Simson dhe portugezi Rubens Saraiva. Simson u largua nga vendit ynë mbrëmjen e 19 Prillit drejt vendlindjes nga aeroporti i Rinasit. Ai ka dyshime se fshihet ende në Britaninë e Madhe.
Ndërsa 27-vjeçari që akuzohet si ekzekutor, Rubens Saraiva, u largua nga pika e kalimit kufitar në Kapshticë ditën e ngjarjes. Të dy janë tashmë në listën e të kërkuarve nga Interpol.