Aktualitet BBC: Emigrantët shqiptarë rekrutohen nga grupet kriminale në Britaninë e Madhe

BBC: Emigrantët shqiptarë rekrutohen nga grupet kriminale në Britaninë e Madhe

BBC” thotë se zotëron prova se si grupet kriminale shqiptare të drogës po përdorin kampet e emigrantëve në Francën veriore për rekrutim dhe ofrojnë të paguajnë kalimin për personat që janë gati të punojnë në industrinë narkotike të Britanisë në momentin e mbërritjes.

Sipas shifrave të qeverisë britanike, shqiptarët renditen si 1/3 e 40.000 personave që kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me gomone.

Agjencia e lajmeve shkruan se ka parë qyteza rreth Tiranës të mbetura thuajse bosh dhe të rinj shqiptarë të joshur drejt bregut francez. Këtë verë, në Dunkirk, dëshmitarët okularë thonë se emigrantët shqiptarë kishin zënë kampin kryesor.

Hotele të vogla rreth tij, janë tashmë vende të posaçme për emigrantët shqiptarë, me dyer të mbyllura gjatë gjithë kohës, asnjë personel në qarkullim dhe një numër 24 orë në shërbim, i ngjitur pas xhamit.

Këto janë vendet ku ndërmjetësit shqiptarë presin për klientë duke vepruar si një lidhje thelbësore në kalimet me gomone të kryesuara nga grupet kurdo-irakiane. ”Në Francë, të presin njerëz”, citon reporterja e “BBC” një shqiptar. “Çdokush në botë di ku të shkojë, nëse do të mbërrish në Angli”.

Nga rruga jashtë stacionit të Dunkirk, vumë re Kevin në dritaren e dhomës së tij në katin e dytë të hotelit, teksa tymos një cigare. Një i sapombërritur nga Shqipëria, 20 vjeç dhe nervoz për udhëtimin. Vetëm pas nja dy ditësh këtu, ai ka gjetur dikë që t’i organizojë kalimin dhe po pret telefonatën e largimit.

“Moti nuk është i mirë”, thotë ai. “Na duhet të presim ndoshta nja dy ditë”. Më tej, artikulli  shpjegon edhe se si shqiptarët hyjnë në Francë si turistë me anë të vizave. Gazetarja shkruan edhe për infiltrimin e saj duke u shtirur si emigrante shqiptare për të kontaktuar me dy ndërmjetës që kërkonin klientë nëpërmjet rrjeteve sociale.

Të dy u përgjigjën brenda gjysmë ore, me mundësinë për të paguar në Francë ose në Angli dhe udhëzime për të mbërritur në Belgjikë ose Francë, ku do kontaktoheshin nga dikush tjetër. Mesazhi nga të dy ata ishte “Është e lehtë”.

Një zyrtar i lartë francez, i fokusuar në këtë zonë, konfirmoi se shqiptarët po luajnë rolin e ndërmjetësve, duke lidhur emigrantët e këtij vendi me grupet kriminale kurdo-irakiane. Ai sqaroi se këto grupe kryejnë rreth 80% të operacioneve të gomoneve, por autoritetet franceze janë të shqetësuar se shqiptarët mund të ngrenë organizatat e tyre të pavarura duke sjellë konflikt.

Qeveria britanike deklaron se 12.000 shqiptarë kanë hyrë këtë vit me gomone, thuajse të gjithë djem të rinj që udhëtojnë vetëm.

Ndërkohë në atdhe, rrethinat e kryeqytetit po boshatisen. Gazetarja merr si shembull Laknasin, “avionët me pasagjerë shfaqen mbi qytezën e qetë dhe të zbrazët, mbi xhaminë e vogël të rrethuar nga blloqe gjysmë të ndërtuara, shtëpive të kyçura dhe kafenesë së shkretuar”, shkruan ajo.

Shitësit mblidhen në rrugën e qetë dhe ankohen se biznesi është pa jetë. Dy lopë përtypin barin pranë rrugës kryesore të heshtur. “Ato janë gjithë ç’më ka mbetur”, thotë pronari i tyre. “Fëmijët e mi kanë ikur në Angli”.

Banorët thonë se 70% e popullsisë është larguar për në Britani. Nisjet nuk kanë ndalur. Ka shumë rrethina si Laknasi tani në Shqipëri.

Mundësia ekonomike mbetet faktori kyç. Korrupsioni është problem i sistemit dhe shifrat e Eurostat nga viti 2018 tregojnë se të ardhurat mesatare në Shqipëri janë 1997 Euro krahasuar me Britaninë ku janë 10 herë më të larta (21.464 Euro).