Aktualitet BE dhe AstraZeneca bëjnë paqe, sigurohen 9 milionë doza vaksine shtesë

BE dhe AstraZeneca bëjnë paqe, sigurohen 9 milionë doza vaksine shtesë

Pas shumë përplasjeve, më në fund gjendet gjuha e përbashkët. Bashkimi Europian njoftoi se kompania farmaceutike britaniko-suedeze, AstraZeneca, do të furnizojë 9 milionë doza shtesë të vaksinës anti-covid deri në mars.

Kjo erdhi pas ditëve të mbushura me kritika për programin e bllokut për imunizimin e popullatës. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se ky ishte një “hap para”. Por, 40 milionë dozat që duhej të shpërndaheshin janë akoma në gjysmë të rrugës, mes problemeve të vazhdueshme me furnizimin: “Hap përpara për vaksinat. AstraZeneca do të shpërndajë 9 milionë doza shtesë në 3-mujorin e parë (40 milionë në total), krahasuar me ofertën e javës së kaluar dhe do të nisë me dërgimin e tyre një javë para se ishte planifikuar. Kompania gjithashtu do të zgjerojë edhe kapacitetet e saj prodhuese në Europë”.

Komisioni Europian është përfshirë në grindjen mjaft të kritikuar me Britaninë e Madhe dhe kompaninë AstraZeneca javën e kaluar. Në veçanti, është dënuar kërcënimi i bllokut për vendosjen e kontrollove në kufirin e Irlandës së Veriut për të parandaluar që vaksinat e prodhuara në BE të shkonin në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo pikë kufitare ishte një ndër problemet më të vështira për t’u kapërcyer në ujdinë për Brexit. Brukseli ishte i zemëruar pasi Britania po merrte furnizime me doza nga AstraZeneca, ndërsa vetë po përballej me mungesa të konsiderueshme.

Kompania që zhvilloi vaksinën anti-covid në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, i ka premtuar BE-së të paktën 80 milionë doza në 3-mujorin e parë, por tashmë unioni duhet të kënaqet me vetëm gjysmën e tyre.