Opinione BE dhe domosdoshmëria për një konstrukt autonom sigurie

BE dhe domosdoshmëria për një konstrukt autonom sigurie

Nga Gjergji Kajana

Pasi përjetoi 45 vjet jetesën nën konkurrencën e sistemeve rivale të Uashingtonit e Moskës, pas 1989-s sistemi ndërkombëtar global hyri për dy dekada rresht në sferën e hegjemonisë së pakundërshtuar amerikane para së të përfshihej – në sajë të revizionizmit rus e mbi të gjitha rritjes së peshës kineze në çështjet botërore – në një rend bazuar mbi rivalitetin e ri botëror SHBA –Kinë. Bashkimi Evropian përbën një entitet të lidhur me perandorinë amerikane përmes fijesh të shumëfishta në fushat e ekonomisë, sigurisë e vlerave por është ende duke shqyrtuar nëse duhet ta konsiderojë Pekinin si rival strategjik. Njëkohësisht, në kufijtë e tij lindorë Bashkimi po sfidohet prej një fuqie – Rusia – e cila zbaton ndaj vetëvendosjes së popujve rregullat e sistemit ndërkombëtar në fuqi një shekull më parë , kur ky parim sovraniteti nuk i njihej shumë kombesh të vogla.

E sulmuar, Ukraina po paguan çmimin e vizionit perandorak agresiv që udhëheq veprimet ruse. Në vitet 1989 – 2014 armëpushimi gjeopolitik midis Evropës dhe Rusisë u bazua në një konstrukt të menduar nga Perëndimi dhe që u tregua i pamatur: BE, pjesë e perandorisë atlantike së SHBA-ve për shkak të përkatësisë së 3/4 të anëtarëve të saj në NATO (e cila u siguron atyre garancinë e mbrojtjes bërthamore amerikane), kontrollonte në mënyrë jo të drejtpërdrejtë ambiciet e fqinjit rus (gjeopolitikisht i pasigurt dhe historikisht prirur drejt ekspansionizmit territorial e krijimit të një sfere të tijën të ndikimit) duke e lidhur ekonomikisht pas vetes. Kjo lidhje ktheu Evropën në klienten energjitike të varur nga Moska por nuk i rriti sigurinë për shkak se taktika e përmbajtjes së synimeve territoriale të Rusisë dështoi. Në 2014, pasi Rusia aneksoi Krimenë, BE i vendosi sanksione ekonomike Moskës, zhvillim i cili i ktheu palët në kundërshtarë.

Ukraina përbën plagën më të rëndësishme e të përgjakur të sistemit evropian të sigurisë por nuk është e vetmja. Përveç ndikimit rus, në Ballkanin Perëndimor (rajon i kontinentit i cili aspiron të hyjë në BE) është rritur ai i një fuqie të madhe (Kina) dhe i një tjetre që aspiron të jetë e tillë (Turqia). Rrezikshëm Kina hyn mes furnizuesve me armatime të Serbisë, e cila negocion hyrjen në BE duke mos bashkërenduar politikën e vet të jashtme me atë të Bashkimit për shkak se refuzon të sanksionojë Moskën. Në Mesdhe BE kufizohet me rajonet e trazuara të lindjes së Mesme e Afrikës së Veriut, territore luftrash (Siri, Libi) që rritin tensionet në Evropë përmes prurjeve migratore. Në mungesë pranie ndikuese në terren, Brukseli në bllok (marrëveshja e 2016 me Turqinë) ose vende anëtare të BE-së (Italia në Libi) kanë financuar nga vende me kredenciale negative në demokraci e të prirura drejt shantazhit menaxhimin e mosardhjes së emigrantëve prej këtyre zonash krize.

Lufta në Ukrainë duhet të tingëllojë për Evropën si momenti në të cilin nevojat politike të sigurisë marrin përparësi mbi konsideratat ekonomike që kanë ushqyer deri tani lidhjet me Rusinë e Kinën. Duke ngritur një paralel me Luftën e Koresë (1950 – 1953) gjatë Luftës së Ftohtë , historiani Niall Ferguson e quan këtë zhvillim në Evropën Lindore konfliktin e parë të nxehtë të Luftës së Ftohtë 2.0 SHBA – Kinë , duke theksuar se Pekini rreshtohet në krahun e Moskës. Qendrimi i BE-së në skenën botërore duhet të synojë vendosmërisht për të përshpejtuar procesin e brendshëm vendimmarrës, duke ia përshtatur atë sfidave aktuale në fushën e sigurisë me qëllim projektimin efikas në një rend të ri ku çdo sferë konkurrence (ekonomia, teknologjia, projektimi ushtarak, lëndët e para, emigracioni) kthehet në armë. Brenda BE-së është kthyer në domosdoshmëri tejkalimi i sistemit të vendimmarrjes me unanimitet të paktën në çështjet e lidhura me sigurinë e politikat e zgjerimit. Duke pohuar një vit më parë se “traktatet evropiane nuk janë shkruar në gur”, kancelari gjerman Scholz ka bërë publik propozimin e vendit të tij për të kaluar gradualisht në vendimmarrje me shumicë në sferat e politikës së jashtme, sanksioneve e të drejtave të njeriut. Ekziston një nevojë për të kthyer në të pajtueshëm shkrirjen e konceptit francez të “autonomisë strategjike” (arsyetim tipikisht gjeopolitik, bazuar në objektiva të ndara mes BE-së e NATO-s dhe ku Parisi aspiron rol drejtues) me atë gjerman të “sovranitetit strategjik” (orientuar drejt fuqizimit të sferës informatiko-teknologjike të përdorshme për sigurinë). Ky rezultat është i mundur duke patur parasysh se fuqizimi i sigurisë teknologjike brenda BE-së – kolonë e vizionit gjerman – hyn si pjesë e shtyllës së investimeve në Kompasin Strategjik të Bashkimit.

Pas përvojës së administratës Trump rrezikohet që SHBA të mos jenë më për Evropën aleati i patjetërsueshmë i përhershëm i sigurisë, në optikën edhe të një rikthimi të mundshëm të miliarderit në presidencë në 2024. Brenda Evropës garancia ushtarake amerikane tërheq pakthyeshëm drejt ndikimit të Uashingtonit vendet e Lindjes (mbi të gjitha Poloninë e republikat balltike), të cilat në konstruktin e tyre gjeopolitik janë po aq pakthyeshmërisht antiruse. Kjo shpjegohet me historinë e shekujve të fundit: në prirjen për t’u shtrirë territorialisht drejt Perëndimit Moska ka dhunuar gjatë pavarësinë e tyre. Përvijimi në Evropë i një sistemi sigurie bazuar brenda BE-së por jo rival i NATO-s (e cila është kthyer në një pol sigurie edhe për vendet skandinave Finlandë e Suedi në kontakt me rusët) shihet si një mënyrë për të ndërtuar një konstrukt ushtarak i cili të arrijë të mbajë bashkuar pjesët perëndimore e lindore të kontinentit në rast zhvillimesh të reja populiste e izolacioniste në Uashington. Thënë kjo, lidhja me Uashingtonin mbetet e pazëvendësueshme për sigurinë evropiane akoma më tepër pasi Rusia ka lidhur me veten Bjellorusinë (ku projekton të vendosë armë bërthamore), duke u afruar drejt kufijve lindorë të NATO-s. Aleanca Atlantike udhëhequr nga SHBA është e vetmja njësi vepruese që zotëron monopolin e forcës vendimtare për të mbrojtur vendet e Bashkimit Evropian.

Një sferë e re eventuale sigurie panevropiane duhet të jetë gjithëpërfshirëse për vendet e BE-së. Ajo mund të ketë pika force të projektueshme ato ushtarake të Francës (fuqi bërthamore autonome), teknologjike-industriale të Gjermanisë, pozitat strategjike në Mesdhe të Spanjës, Italisë e Greqisë dhe afërsinë me Rusinë në Evropën Lindore. Deri tani si magneti kryesor tërheqës i BE-së ka vepruar fuqia ekonomike dhe ajo normative por të qënit një garantues më muskulor i sigurisë mund të rrisë peshën e Brukselit në ndërveprimet bashkëpunuese me aleatë të NATO-s (SHBA, Britani e Madhe, Kanada) e partnerë potencialë (Japoni, Kore e Jugut, Australi) të një blloku të ri të mundshëm gjeopolitik multilateralist.

*Gjergji Kajana është një gazetar i pavarur shqiptar në Itali. Trajton tema shqiptare e ndërkombëtare. Ky artikull, botuar me shkurtime prej origjinalit italisht, është nxjerrë fillimisht në uebsajtin e think tank italian CeSPI ETS.