Ministrat e Jashtëm të BE u takuan në Bruksel me homologun e tyre kinez, Wang Yi. Komportimi mes tyre u karakterizua jo vetëm prej atmosferës së etikës diplomatike, por edhe prej interesave të qarta ekonomike.
Kina është ndërkohë në krye të listës në agjendën e politikës së jashtme të BE-së. Kryetarët e shteteve dhe të qeverive duan, që në samitin e tyre në fund të kësaj jave të merren intensivisht me marrëdhëniet me Kinën si fuqi ekonomike. Në fillim të prillit do të pasojë takimi vjetor mes BE-së dhe presidentit të Kinës Xi Jinping në Bruksel. “Kina po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, sa më shumë po vështirësohen marrëdhëniet tregtare me SHBA-në”, argumenton një diplomat i BE-së interesin në rritje për diktaturën një partiake, që me 1,3 miliardë banorë zotëron ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Interesa të përbashkëta – sisteme të ndryshme
Nga ana tjetër edhe Kina ka interes të madh për marrëdhënie të mira me 500 milionë europianët, sepse vendi ndodhet në kulmin e një lufte doganore dhe të vështirësive në negociatat tregtare me qeverinë e SHBA-së nën presidentin Trump. BE-ja është partneri i dytë tregtar i Kinës. E ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Xi, që të martën (19.03) zhvilluan një takim prezantimi me 28 ministrat e Jashtëm të BE-së, u përpoqën në konferencën e shtypit të theksojnë kryesisht të përbashkëtat e dy rajoneve. Kina dhe BE janë në unanimitet sa i përket kërkesës për reformimin e Organizatës Botërore të Tregtisë. Të dyja palët ndryshe nga SHBA janë për “multilateralizëm dhe një rend ekonomik të bazuar tek rregullat“. Të dyja palët duan të veprojnë bashkarisht kundër ndryshimit të klimës, gjë që presidenti Donald Trump e konsideron si një komplot.
E ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Mogherini, tha se ajo e ka të qartë, që Kina dhe BE në shumë pikëpamje themelore kanë qëndrime të kundërta. Kjo ka të bëjë me të drejtat e njeriut e deri tek trajtimi jo korrekt i sipërmarrjeve në tregun kinez. “Nuk është sekret, që ne kemi sisteme të ndryshme dhe jemi në konkurrencë ekonomike me njëri-tjetrin, por ne përcaktojmë këtu sektorët për bisedime, prej nga mund të përfitojnë me siguri të dyja palët”, tha Mogherini pas një bisede me ministrin e Jashtëm kinez.
“Natyrisht ne duam të arrijmë të njëjtat rregulla loje për të gjitha sipërmarrjet. Siguria në hapësirën kibernetike është një nga çështjet që e kemi për zemër”, u përgjigj e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, ndaj pyetjes nëse koncerni kinez Huawei duhet të përfshihet në zgjerimin e rrjetit 5G-të komunikimit të të dhënave në BE. SHBA e akuzon Huawein, se instalon software spiunazhi në impiantet e telekomunikacionit. Në Europë vetëm disa shtete e kanë këtë mendim. Në Gjermani Huawei, pavarësisht drejtimit të tij të mundshëm prej shtetit, lejohet të marrë pjesë në tenderin për zgjerimin e rrjetit 5G. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas i tha DW-së, se nuk do të ketë nënshtrim ndaj presionit të SHBA-së apo ndokujt tjetër nga jashtë. “Ne e dimë, që edhe interesat ekonomike shpesh përshtjellohen me ato politike. Ndaj ne do të marrim një vendim autonom në tenderin e licencave, që kanë në radhë të parë në vëmendje ruajtjen e interesave tona për sigurinë.”
Ministri i Jashtëm kinez Wang Xi konfirmoi, që sipërmarrjeve kineze duhet t’u jepet një akses korrekt dhe i paanshëm në treg. Pa e përmendur direkt me emër Huawein, ai tha, se “ne i kundërvihemi akuzave të pabazuara për arsye politike, që kanë synim të dëmtojnë firmat e huaja.”
Bernd Riegert/DW