Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca ka dorëzuar në Ministrisë e Shëndetësisë donacionin e parë të BE për vendin tonë për luftimin e COVID-19. Bëhet fjalë për rreth 4 mijë kuti, ku janë rreth 110 mijë dorashka, 2 mijë maska dhe 1 mijë litra dezinfektues për duart. Në ditët e ardhshme tha z. Soreca do të mbërrijnë kite testimi, 50 ventilatorë si dhe 5 ambulanca.
“Tani që Shqipëria është në pikën ku mund të relaksoi disa masa, materialet për mbrojtjen personale janë më të rëndësishme se kurrë”, deklaroi ambasadori i BE-së.
Ambasadori vlerësoi masat e ndërmarrë nga qeveria, por ai theksoi nga ana tjetër se ato nuk do të kishin qenë efektive pa disiplinën e qytetarëve në respektimin e rregullave. “Tani disiplina është më e rëndësishme, të mos harrojmë se virusi nuk është zhdukur”, tha Soreca.
Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e konsideroi ndihmën e BE-së si mjaft të vlefshme. E pyetur se ku do të shkojnë këto ndihma, Manastarliu tha se tani që masat do të lehtësohen, ka nevojë për pajisje mbrojtëse duke nisur që nga personeli mjekësor dhe pikërisht kjo ndihmë do të shkojë për mbrojtjen e mjekëve dhe infermierëve.
“Bashkimi Europian tregoi edhe një herë vlerat e solidaritetit që janë në zemër të tij. Mbështetja që na vjen nga Bashkimi Europian, nëpërmjet fazës së parë të lëvrimit të grandit prej 4 milio euro, nëpërmjet kësaj dërgese të pare, fuqizon akoma më shumë stafet tona mjekësore në luftë dhe në përballje me COVID-19, nëpërmjet materialeve të mbrojtjes personale, siç janë syzet, helmetat, maskat, të cilat janë shumë të rëndësishme, për të patur një personel shëndetësor të mbrojtur”, u shpreh ministrja.