Komisioneri i Bashkimit Europian për Drejtësine Didier Reynders ka deklaruar se certifikatat e Gjelbërta Dixhitale, të cilat do të bëhen funksionale në Bashkimin Evropian nga fillimi i verës, do të lëshohen edhe për qytetarët e vendeve të treta që janë vaksinuar pavarësisht llojit të dozës që kanë marrë.
“Ne kemi propozuar që certifikatat dixhitale të gjelbërta evropiane të jenë të disponueshme falas për një periudhë gjashtëmujore edhe për shtetasit e vendeve të treta që banojnë ose udhëtojnë legalisht në BE, pavarësisht nga lloji i vaksinës që kanë bërë”, tha Reynders.
Sistemi duhet të harmonizohet në mënyrë që edhe certifikatat e lëshuara nga vendet e treta të pranohen automatikisht në BE.
Komisioneri Reynders foli rreth temës së lëshimit të certifikatave për ata që kanë marrë vaksina që nuk janë miratuar për përdorim nga Agjencia Evropiane e Barnave, duke marrë vaksinën ruse Sputnik si një shembull.
“Çdo qytetar i BE-së duhet të ketë të drejtën të marrë një certifikatë pavarësisht nga vaksina e administruar”, theksoi ai.
Komisioneri siguroi eurodeputetët se deri në fund të Qershorit do të përfundojë puna e nevojshme teknike dhe infrastrukturore për lëshimin e certifikatave të vaksinimit duke përdorur një bazë të dhënash qendrore të krijuar në nivelin e BE.
Eurodeputetët shfaqën mbështetjen e tyre të plotë për nismën, si një instrument për të ndihmuar në heqjen e kontrolleve kufitare, për të parandaluar kaosin dhe diskriminimin.