Sport BE e shqetësuar nga 180 mijë tifozët në “Wembley”: Po i bëjmë...

BE e shqetësuar nga 180 mijë tifozët në “Wembley”: Po i bëjmë gjëmën vetes

Imazhi i Boris Johnson duke u ngazëllyer para televizionit, të martën në mbrëmje pas 2-0 të Anglisë ndaj Gjermanisë, riafirmon një koncept: do të jetë e vështirë, pothuajse e pamundur, të anulohen gjysmëfinalet dhe finalja e “Euro 2020” në “Wembley”. Presionet e Bashkimit Evropian për të luajtur në kushte të një sigurie më të madhe, përballë rritjes së infeksioneve Covid-19 në Mbretërinë e Bashkuar nën presionin e variantit “Delta”, nuk kanë ndikuar deri tani në pozicionin e UEFA-s.

Kjo e fundit është e vendosur për të respektuar planin fillestar, pavarësisht thirrjeve të institucioneve europiane. Nuk është për t’u habitur, nëse marrim parasysh se vetë UEFA lejoi, gjatë shpërthimit të valës së parë të Covid-19, të luhej me dyert e hapura të stadiumit më 11 mars 2020 (Liverpool-Atletico Madrid në Ligën e Kampionëve). Kjo garë, sipas një studimi të universitetit britanik, prodhoi 54 vdekje, një për çdo një mijë spektatorë.

Për fat të mirë, nuk jemi më në ato kushte. Europa është kontinenti ku vaksinimi po lëviz më shpejt, por rihapja dhe grumbullimet vazhdojnë të shkaktojnë probleme. 80 tifozë finlandezë u kthyen nga udhëtimi në Shën Petersburg pozitivë me koronavirus. Varianti “Delta”, i cili shpërtheu në Angli, një gabim i pafalshëm i qeverisë britanike që liroi lidhjet ajrore me Indinë, po bëhet i përhapur në vendet e tjera. Në Portugali qytetarët britanikë mund të udhëtonin pa kufizime, ndërsa tani ekziston një shpërthim i versionit “Delta” në zonën e Lisbonës.

Ka shenja negative edhe në vendet e tjera, por në Angli shifrat janë vërtet shqetësuese. Vaksinimi masiv (84.6% e popullsisë mori dozën e parë, 62.1% morën dy dozat) mbron të rriturit nga virusi, por nën 30 vjeç janë më të prekurit nga ajo që tani klasifikohet si vala e tretë. Organizimi i tri ndeshjeve në “Wembley”, me 60.000 spektatorë për ndeshje, do të thotë që 180.000 njerëz do të mblidhen brenda pesë ditësh. Tifozët e Anglisë që jetojnë në Itali nuk mund të shkojnë teorikisht në këto ndeshje, sepse në kthim kanë detyrimin e karantinës.

Paralajmërimi drejtuar UEFA-s nga Margaritis Schinas, nënkryetar i Komisionit Europian, është në vazhdën e mesazheve të nisura nga kryeministri italian, Draghi, dhe kancelarja gjermane, Merkel: “Të luash tri ndeshje në ‘Wembley’ nuk është një vendim i pafajshëm, duhen njohur plotësisht faktet e infektimit. Mbretëria e Bashkuar kufizon lëvizjen e qytetarëve në Europë dhe më pas hap stadiumin për 60 mijë njerëz”.

Andrea Crisanti, profesor i mikrobiologjisë në Universitetin e Padovës, u shpreh mbi këtë temë: “Lidhur me fazën finale të Kampionatit Europian në Londër duhet të reflektojmë, mbi të gjitha për kapacitetin (numrin e tifozëve). Varianti ‘Delta’ ka një kapacitet eksploziv transmetimi. Nëse nuk duam të dëmtojmë veten, duhet ta rishikojmë këtë situatë”. Në këtë pikë, një kompromis mund të jetë që gjysmëfinalet të luhen në Monako dhe Romë, ndërsa finalja në “Wembley”. Pse të mos e konsiderojë UEFA këtë opsion?