Çdo vit në ekonominë e rregullt futen shuma të mëdha parash me prejardhje të paligjshme ose nga kontrabanda. Përmes një reforme gjithëpërfshirëse Bashkimi Evropian synon të luftojë më intensivisht pastrimin e parave.
Rregullat tona kundër pastrimit të parave janë më të ashprat në botë, thotë nënkryetari i Komisionit të BE Valdis Dombrovskis. “Por tani ato edhe duhet të zbatohen me konsekuencë”. Kjo ka munguar në vitet e fundit. Shumë shtete anëtare të BE-së nuk i zbatojnë në praktikë rregullat ose janë tepër të dobët në mbikqyrjen dhe rishikimin e transaksioneve financiare të dyshimta. Prandaj Komisioni i BE po propozon tani zyrtarisht atë që është përgatitur në Bruksel prej muajsh: që një autoritet i ri mbikëqyrës i BE të mbikqyrë vendet anëtare dhe të monitorojë dhe kontrollojë vetë institucionet e mëdha financiare ndërshtetërore, që paraqesin rreziqe.
Ky autoritet i fuqishëm i së ardhmes do të jetë në gjendje të funksionojë pas tre vjetësh dhe pas pesë vjetësh të ushtrojë efektin e tij të plotë. Në parim shtetet anëtare të BE e kanë miratuar krijimin e këtij autoriteti qendror mbikëqyrës, që ekziston ndërkohë edhe për bankat. Por nuk kanë rënë ende dakord se ku duhet ta ketë selinë.
Shifër e konsiderueshme nga paratë e pista
“Pastrimi i parave është një kërcënim i qartë për qytetarët, institucionet demokratike dhe sistemin financiar”, pohoi Komisionerja e BE për Shërbimet Financiare, Mairead McGuiness, gjatë prezantimit të propozimeve të reja legjislative. Rreth 1.5 përqind e produktit të brendshëm bruto në BE – që është 133 miliardë euro – del nga biznesi me para “të pista”. “Dimensioni i problemit nuk mund të nënvlerësohet. Rrugët, që kriminelët mund të shfrytëzojnë, duhet të mbyllen”, kërkoi Komisionerja e BE.
Për ta arritur këtë, Komisioni i BE dëshiron t’i bëjë më uniforme rregullat kundër pastrimit të parave në të gjithë Evropën. Në të gjitha vendet anëtare duhet të bëhet transparente, se kush zotëron në të vërtetë cilat kompani ose ofrues të shërbimeve financiare, apo kush zotëron pasuri të patundshme. Firmat anonime dhe personat bedel së shpejti nuk do të ekzistojnë më në BE. Listat e llogarive bankare dhe zotëruesve të tyre do të unifikohen në të gjithë BE-në.
Direktiva numër gjashtë
Me copëtimin e vazhdueshëm të pasurive në njësi më të vogla, me fragmentimin e konstruksionit të firmave dhe transaksioneve elektronike përmes shumë llogarive të huaja bankare, bëhet shumë e vështirë të ndiqen gjurmët e parave, që vijnë nga trafiku i drogës, prostitucioni ilegal, lojërat e paligjshme të fatit, trafikimi i qenieve njerëzore dhe krimet e ngjashme, deklaron Komisioni i BE-së.
Një direktivë e re kundër pastrimit të parave, tashmë me numrin gjashtë, ka për qëllim t’ia vështirësojë krimit të organizuar dhe financuesve të terrorizmit bizneset. Rregullat ashpërsohen sërish në krahasim me direktivën e pestë të aplikuar deri tani. Në shënjestër do të jenë edhe kriptomonedhat, pra monedhat elektronike të krijuara privatisht, si “bitcoins”, të cilat BE i konsideron të përshtatshme për biznes anonim. Në të ardhmen ofruesit e kriptomonedhave do të duhet të tregojnë zotëruesit e llogarive bankare.
Kufizim në vetëm 10.000 euro parave në dorë
Shtetet anëtare debatojnë lidhur me propozimin e Komisionerit të BE Valdis Dombrovskis, që pagesat me para në dorë të kufizohen në maksimalisht 10.000 euro. Paraja kesh është një portë e lehtë për pastrimin e parave. Paratë nga një tregtar droge futen në qarkullim përmes shitjeve të fryra të një picerie, që u përket kriminelëve. Pasuritë e paluajtshme paguhen me valixhe plot me para.
Në disa vende anëtare të BE pagesa me para ka një limit, për shembull në Greqi ai është vetëm 500 euro. Në vendet e tjera, si Gjermania apo Austria, nuk ka kurrfarë limiti. Rreth 70 për qind e të gjitha transaksioneve të pagesave të klientëve në BE bëhen me para në dorë.
Ministri austriak i Financave Gernot Blümel e mbështet luftën kundër pastrimit të parave, por thotë se është iluzion të besosh se kriminelët përdorin vetëm para kesh. “Ne po shohim që kriminelët ekonomikë po kalojnë gjithnjë e më shumë në hapësirën digjitale dhe këtu duhen bërë përpjekje më të mëdha në të ardhmen. Këtë e konsideroj më efektive sesa limitet maksimale arbitrare, që forcojnë prirjen e deritashme për heqjen e parasë kesh”, tha Blümel javën e kaluar në Vjenë. Paraja në dorë duhet të ruhet si mjet pagese, për të cilën nuk nevojiten mjete ndihmëse teknike.
Vladis Dombrovskis, nënkryetar i Komisionit të BE, shqetësohet kryesisht për reputacionin dhe stabilitetin e BE si qendër financiare. “Çdo skandal pastrimi parash është i tepërt”, tha Dombrovskis.
Shtatorin e kaluar të ashtuquajturit “FinCen-Files” e bënë të qartë se edhe bankat e mëdha evropiane minojnë rregullat e BE kundër pastrimit të parave. Në vitin 2018 u zbulua se një bankë daneze kishte pastruar për vite me radhë para përmes një dege të vogël në Estoni – deri në 200 miliardë euro. Skandali me “Danske Bank” ka qenë arsyeja e nismave të reja të Komisionit të BE kundër pastrimit të parave, të cilat tani duhet të miratohen nga Parlamenti i BE dhe 27 vendet anëtare./DW