Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se është e rëndësishme që qytetarët serbë në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e votës në referendumin për ndryshimet kushtetuese në Serbi, që mbahet të dielën, më 16 janar. Ai tha se edhe në të kaluarën, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka lehtësuar grumbullimin e votave të qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë.
“Të mërkurën, kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç lidhur me grumbullimin e votave në Kosovë për referendumin kushtetues që mbahet të dielën në Serbi. Grumbullimi i votave në të kaluarën është bërë me lehtësimin e OSBE-së. Qytetarët duhet të jenë në gjendje që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit”, tha Joseph Borrell, Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Europian.
Kosova ka thënë se qytetarët serbë me shtetësi të dyfishtë do të mund të votojnë vetëm përmes postës apo Zyrës Ndërlidhëse serbe në Prishtinë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se votimi në referendumin e një shteti tjetër, në një territor sovran, “nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”.
“Gjatë një bisede me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Joseph Borrell unë shpreha qëndrimin tonë: Serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë. Referendumi i një shteti tjetër në një territor sovran nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.
Edhe pse mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë nuk është çështje e përfshirë në dialog, sipas zëdhënësit Peter Stano, kjo gjë ka ndodhur në të kaluarën nën mbikëqyrjen e OSBE-së, dhe palët mund të komunikojnë përmes organizatës. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha të mërkurën se moslejimi i mbajtjes së referendumit në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë “do ketë pasoja afatgjate përtej asaj çfarë mendojnë shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar”.