Bashkimi Evropian ritheksoi të martën qëndrimin për statusin e Jerusalemit si kryeqytet i të dyja shteteve, ndërsa keqardhjen për vendimin e Kosovës që të hap ambasadën e saj atje.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se vendimi i Kosovës e largon atë nga qëndrimet e Bashkimit Evropian.
“Për BE-në çështja e Jerusalemit është diçka shumë, shumë e qartë kur bëhet fjalë për përfaqësimin diplomatik të shteteve anëtare. E theksoj se të gjitha ambasadat dhe delegacionet e shteteve anëtare të Bashkimit Europian janë të vendosura në Tel Aviv, bazuar në vendimet përkatëse të rezolutës së Këshillit të Sigurimit, si dhe përfundimet e Këshillit Europian”, tha ai.
Ai tha se është logjike që Bashkimi Europian dhe shtetet anëtare presin nga Kosova që të përparojë në rrugën drejt BE-së duke u rreshtuar me politikat dhe parimet e Bashkimit Evropian.
Zëdhënësi tha se nuk kërkon nga Prishtina të bëjë apo të mos bëjë diçka, teksa u përball me pyetjen se me çfarë të drejte, BE e orienton Kosovën të hapë apo të mos hapë diku ambasadën, kur Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike me Unionin.
“Ne nuk po kërkojmë nga Kosova të bëjë apo të mos bëjë diçka, ne po themi që ‘nëse ju po pretendoni se aspiratat tuaja dhe ambiciet tuaja të përgjithshme strategjike janë për anëtarësim në Bashkimin Europian, është një kuadër kriteresh që duhet përmbushur. Ne po bëjmë vetëm këtë, dhe po rikujtojmë se cilat janë parimet e Bashkimit Europian, qëndrimet që duhen përshtatur”, tha Stano.