Aktualitet BE kundërshton amnistinë fiskale për “çunat e Londrës”: Rrezik për Shqipërinë dhe...

BE kundërshton amnistinë fiskale për “çunat e Londrës”: Rrezik për Shqipërinë dhe pastrim parash

Nisma e qeverisë shqiptare për amnistinë fiskale ka marrë një goditje të fortë nga Bashkimi Europian.

Përmes një njoftimi, BE-ja sqaron se ky draft paraqet shqetësime serioze dhe do të dobësojë kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave.

BE thekson se kjo amnisti do të ndihmonte shumë pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore.

Sipas Bashkimit Evropian, për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në këtë ligj dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual ngre shqetësime serioze për shtetet anëtare dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin.

Pak ditë më parë, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se qeveria nuk ka marrë një miratim nga institucionet e Bashkimit Europian dhe njësia e Këshillit të Europës kundër pastrimit të parave Moneyval për projektligjin “Për Amnistinë Fiskale”.

Ajo nënvizoi se drafti u është prezantuar institucioneve ndërkombëtare, por është ende në fazë diskutimi.