Zëdhënësja e Bashkimit Europian tha të mërkurën se ka rënë dakord për të blerë një sasi të limituar të ilaçit që trajton COVID-19, të quajtur remdesivir.
Ilaçi do të blihet nga kompania amerikane e prodhimit të barnave, Gilead për t’iu përgjigjur nevojave afatshkurtra të pacientëve europianë. Më tej pritet që të porositet një sasi akoma më e madhe.
Remdesivir është ilaçi i vetëm deri më tani i autorizuar nga BE për përdorim kundër COVID-19, por e gjithë sasia në dispozicion është blerë tashmë nga Shtetet e Bashkuara.
“Dje komisioni nënshkroi një kontratë me kompaninë farmaceutike Gilead për sigurimin e dozave të remdesivir. Që nga fillimi i gushtit e më tej, remdesivir do të jetë në dispozicion të shteteve anëtare të BE-së si dhe për Mbretërinë e Bashkuar”, tha zëdhënësja e KE, Dana Spinant.
Komisioni i Bashkimit Europian ka rënë dakord të paguajë 63 milionë euro për të blerë sasi të mjaftueshme që mund të trajtojnë rreth 30.000 pacientë.
Kulmi i pandemisë së COVID-19 duket se ka kaluar në Europë, por pas një vale të re të përhapjes së infeksionit gjatë ditëve të fundit, disa kombe kanë rivendosur kufizimet.