Prej të mërkurës të gjithë shtetasit shqiptarë të vaksinuar me Pfizer dhe AstraZeneca mund të udhëtojnë lirisht në vendet e Bashkimit Europian.
Në një intervistë për Tv Klan, Zv/ministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini tha se janë ndryshuar të dhënat në e-Albania.
“Green pass, ose corona pass përfshin kalimin e virusit me vaksinim të një dozë apo të dyja dozave, por konkretisht është për të dyja dozat. Green pass ka tashmë ka të gjitha karakteristikat me barkod dhe firmë elektronike brenda saj. Të gjithë individët shqiptarë apo rezidentë të huaj në Shqipëri që kanë aplikuar vaksinën në vendin tonë duhet ta rigjenerojnë certifikatën”.
Ndërsa qytetarët e vaksinuar me Sinovac apo Sputnik lejohet të udhëtojnë me certifikatën e vaksinës vetëm në ato vende që i njohin këto vaksina. Ndërsa vendet e Bashkimit Europian njohin vetëm vaksinat e miratuara nga EMA, Pfizer, AstraZeneca, Moderna dhe Johnson.
“Sinovaku, ose vaksina kineze është një ndër vaksinat që disa vende e kanë të njohur dhe në certifikatë e njeh në këto vende”.
Deri tani vaksina kineze njihet nga 9 shtete, si Greqia, Holanda, Spanja, Suedia, Islanda, Zvicra, Austria, Qipro dhe Finlanda.